Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka shprehur falënderimin për kongresistin amerikan Eliot Engel.
Ai ka thënë se Engel është një autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral për të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve në Amerikë dhe më gjerë.
Engel sot largohet nga Kongresi amerikan pas 32 vjetësh shërbim. Në fjalimin përshëndetës ai kishte përmendur Kosovën, duke treguar se si e ka në zemër Kosovën.
“Përjetësisht falënderues ndaj mikut të madh të shqiptarëve Eliot Engel! Autoritet i pazëvendësueshëm politik dhe moral për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët në Amerikë dhe më gjerë!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Edhe kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, ka shprehur mirënjohjen për kongresmenin Eliot Engel.
“Shpreh mirënjohjen time më të thellë për mikun tonë të shtrenjtë dhe avokatit tonë të palëkundur Z. Eliot Engel. Faleminderit për mbështetjen vendimtare gjatë 3 dekadave, që ka sjellë pavarësinë e Kosovës dhe tranzicionin demokratik në Shqipëri, përfshirë anëtarësimin në NATO. Do të vazhdojmë më tej së bashku punën e papërfunduar ende”, ka shkruar Basha.