Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ka qenë sot në Prizren, për të uruar komunitetin turk në ditën e tyre.
“Sot në Prizren urova turqit e Kosovës për ditën e tyre. Njëherësh i falënderova për besimin e palëkundur në Kosovën e pavarur dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Në prag të 10 vjetorit të shtetësisë sonë, ne krenohemi me arritjet tona për t’i integruar turqit në jetën publike politike dhe avancimin e drejtave të tyre”, ka thënë Hoxhaj.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e komunitetit turk të Kosovës për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumë-etnike. Ai ka shprehur mirënjohjen për komunitetin turk të Kosovës që çdoherë kanë besuar dhe besojnë në Kosovën e Pavarur.
Kryediplomati kosovar ka folur për integrimin e këtij komuniteti në Kosovë dhe avancimin e të drejtave të tyre politike dhe etnike.
“Kur ne po hyjmë në dhjetë-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duhet të krenohemi me arritjet tona në integrimin e komunitetit turk në institucionet lokale dhe qendrore të shtetit të Kosovës, si dhe në avancimin e të drejtave të tyre politike dhe etnike. Dita kombëtare e turqve të Kosovës është një ditë kur ne reflektojmë për të kaluarën, konstatojmë për rezultatet dhe sfidat e tanishme dhe projektojmë të ardhmen”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka deklaruar se duhet të bëhet më shumë që në të ardhmen të rinjtë e këtij komuniteti të kenë një perspektivë më të mirë dhe që të moshuarit ta kenë një plakje të dinjitetshme.
“Turqit e Kosovës janë një urë e fuqishme e marrëdhënieve tona me Turqinë, shtet të cilit i jemi mirënjohës për njohjen e Kosovës, mbështetjen për njohje të tjera dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, ka përfunduar Hoxhaj.