Arbëri

Hoxha: Kosova nuk është përballur me fluks të migrantëve

Misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Misioni Zyrës së Lartë të OKB-së për Refugjatë (UNHCR) në Republikën e Kosovës prezantuan Marrëveshjen Globale për Migracionin dhe Refugjatët, e cila do të aplikohet për të përmirësuar koordinimin në fushën shumëdimensionale të migrimit ndërkombëtar.

Marrëveshja në fjalë synohet të shërbejë si një strukturë gjithëpërfshirëse për bashkëpunim ndërkombëtar, duke adresuar çështjet që kanë të bëjnë me migrantë, gatishmërinë për lëvizje të njerëzve dhe të gjitha aspektet tjera të migrimit ndërkombëtar.

Zëvendësministri në largim i Punëve të Brendshme të Kosovës, Valdet Hoxha, siç transmeton AA, në adresimin e tij deklaroi se Kosova përkundër sfidave të shumta, si ato politike rreth njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të saj përfshirë edhe nga disa vende fqinje, ky shtet ka arritur që të jetë në mesin e vendeve më të mira në rajon për menaxhimin e shumë sfidave por edhe të migrimit.

Hoxha tha se nevojitet shfrytëzimi i të gjitha mundësive që të relaksohen raportet e Kosovës me shtetet fqinje dhe të ndërtohen ura komunikimi, sepse sipas tij, këto çështje kërkojnë komunikim si dhe shpërndarje të informacioneve dhe të praktikave.

Ai theksoi se Kosova nuk është përballur me ndonjë fluks të madh të migrantëve. Sipas tij, kjo ka ndodhur për arsye se nuk ka qenë vend atraktiv ekonomikisht i pamjaftueshëm. Mirëpo, siç tha ai, Kosova është përballur me një fluks të qytetarëve të saj drejt vendeve të BE-së.

“Kosova ka marrëveshje bileterale me shumicën prej vendeve të BE-së për ripranim të atyre qytetarëve. Nga fluksi i atyre prej 70 mijë qytetarëve të cilët kanë migruar gjatë viteve 2014-2015 aktualisht i kemi rreth 40 mijë të cilët i kemi ripranuar dhe kemi ndërtuar pako riintegruese që po ndihmon që këta qytetarë përsëri t’i riintegrohen në jetën sociale dhe ekonomike”, tha Hoxha.

Ndërkaq, ministri në largim për Komunitete dhe Kthim i Republikës së Kosovës, Dalibor Jevtiq, bëri të ditur se ministria në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe Zyrën e BE-së në Kosovë ka hartuar projekte për rikthimin dhe riintegrimin e personave të cilët janë kthyer në Kosovë. Ai po ashtu tha se qeveria e Kosovës ka miratuar dokumentet e rëndësishme sa i përket pronave të komuniteteve jo shumicë por vendimet e marra për këtë çështje nuk implementohen.

Jevtiq duke folur për personat e komuniteteve jo shumicë në Kosovë të cilët janë shpërngulur tha se disa prej tyre ende qëndrojnë në banesa apo vendbanime kolektive. Sipas Jevtiq, kjo nuk është çështje vetëm e komuniteteve, por një çështje për të cilën duhet të gjenden mënyra që të plotësohen kërkesat dhe nevojat e këtyre personave.

“Sipas të dhënave të UNHCR-së ne i kemi afër 100 mijë persona të shpërngulur kurse të dhënat e tjera të cilat shpesh paraqiten para publikut tregon se ky numër është dyfish më i lartë prandaj kemi obligim që ta zgjidhim çështjen e tyre”, tha Jevtiq.

Kurse, koordinatori rajonal i Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, Peter Van der Auweraert, gjatë prezantimit të Marrëveshjes Globale për Migracionin dhe Refugjatët tha se ky dokument duhet të përkrahë kërkesat e qeverive të cilat e nënshkruajnë atë.

Ai po ashtu tha se në rastin konkret Kosova dhe të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor duhet të gjejnë pjesën e detyrimeve të tyre ndaj refugjatëve në këtë marrëveshje dhe të punojnë në këtë drejtim.

Van der Auweraert i cili shfaqi disa të dhëna për refugjatët tha se në vitin 2015 kanë arritur në Evropë mbi 1 milion persona përmes rrugës detare nga Turqia në Greqi përmes Ballkanit Perëndimor. Ai më tutje tha se në vitin 2016 ka rënë dukshëm numri i këtyre personave si pasojë e marrëveshjes në mes të Turqisë dhe BE-së për menaxhimin e refugjatëve.

“Në Evropë në vitin 2015-2016 pamë se refugjatet po vinin drejt Evropës por shumica e refugjatëve sirianë janë në vendet përreth Sirisë”, tha Van der Auweraert.

Ndryshe, kjo ngjarje është duke u organizuar me rastin e miratimit të Deklaratës së Nju Jorkut për Refugjatë dhe Migrantë të aprovuar më 19 shtator të vitit 2016, e cila përcakton miratimin e domosdoshëm të një Marrëveshjeje Globale për Migracionin e sigurt, të organizuar dhe të rregullt (MGM).