Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Dërgimi i përfaqësuesve specialë, strategji për dialog të ri

Dërgimi i përfaqësuesve specialë për Ballkanin Perëndimor nga BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe është një përgatitje e strategjisë për një dialog të ri Kosovë-Serbi, ka thënë njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Erblin Hoxha, në “60 Minuta” të KTV-së.

Hoxha ka thënë se dialogu i vjetër nuk do të vazhdojë dhe se dërgimi i përfaqësuesve specialë po bëhet për ta matur pulsin se në cilat fushëveprimtari të dialogut mund të ketë progres.

“Ky riaktualizim i nevojës për ta zgjidhur problemin në Ballkan ndërmjet Kosovës e Serbisë, është në vazhdën e tentimeve demokratike por duhet ta kuptojmë që komplet logjika e dërgimit të përfaqësuesve special është për ta matur pulsin se në cilat fushëveprimtari të ndryshme të dialogut mund të ketë progres, dhe duket kjo është një përgatitje e strategjisë për një dialog të ri sepse dialogu i vjetër nuk do të vazhdojë”, ka thënë Hoxha, teksa ka folur për ardhjen në Kosovë të enjten të emisarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Sipas tij, procesi i dialogut në këto 10 vjet është përkthyer negativisht tek qytetarët, pasi siç ka thënë, nuk janë parë rezultate dhe procesi ka qenë i pasuksesshëm.

Ndërkaq, duke folur për marrëveshjen për Asociacionin, Hoxha ka thënë se asnjëherë nuk është bërë një analizë logjike se cili do të jetë përfitimi i Kosovës me marrjen e një obligimi të tillë.