Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, Taulant Hoxha, derisa ka folur për rregullimin e filantropisë në Kosovë dhe nxitjen e shumë dhuruesve, ka thënë se baza ligjore për filantropinë në vend nuk është e favorshme.
I ftuar në emisionin “60 Minuta” në KTV të enjten, Hoxha ka thënë se si rrjedhojë ka pak kompani që dhurojnë.
“Baza legjislative për momentin për dhurime në këto fusha të kauzave të interesit publik nuk është shumë e favorshme. Si rrjedhojë shumë pak kompani e biznese private edhe kur dhurojnë i raportojnë ato në ATK për t’i zbritur nga tatimet e tyre”, është shprehur ai.
Sipas tij, bizneset që në masë më të gjerë i shmangin tatimet, nuk duhet të jenë cak për t’i nxitur që të dhurojnë për kauza të caktuara. Hoxha ka shtuar se edhe Ministria e Financave ka shprehur interes që ta trajtojë temën e filantropisë dhe harmonizimin e legjislacionit.
“Edhe Ministria e Financave është e interesuar ta trajtojë këtë temë që duhet të harmonizohet legjislacioni. Që duhet të bëhet më mundësues dhe më i thjeshtë për zbatim, kjo është e qartë. Në muajin e ardhshëm do ta kemi një takim të ndarë për filantropi vetëm për kornizën ligjore ku një studim i yni do të prezantohet dhe më pas të shihet bashkë me MF-në se cilat veprime duhet ndërmarrë tutje”, ka thënë Hoxha.
Edhe
Hoxha: Hapja e konsullatës serbe në Shkodër s’nënkupton pandjeshmëri ndaj Kosovës
Ajo që e karakterizon kryesisht filantropinë në Kosovë, sipas Hoxhës, është që është e fokusuar në ndihmë të menjëhershme aty për aty në fusha humanitare.
“Jemi vendi ku më së shumti pranues të kontributeve filantropike janë individët dhe familjet që na dallojnë nga të gjitha vendet tjera ku organizatat e shoqërisë civile, institucionet publike janë pranuesit kryesorë. Kjo tregon që ne japim shumë kur njerëzit e kanë nevojën e mbijetesës. Ka dhurime të drejtpërdrejta, por edhe nëpërmjet ndërmjetësve, por ka shumë pak dhurime për të trajtuar problemet thelbësore, pse ata njerëz nuk kanë mundësi që të ndërtojnë shtëpi, që të kenë parametrat bazikë shëndetësorë”, ka thënë më tej ai.
Hoxha ka theksuar se në Kosovë ka shumë pak të pastrehë, njerëz që vuajnë për bukë dhe kjo është për shkak të solidaritetit që e ka të zhvilluar.
“Kjo na ka përcjellë tani edhe duke e ndërtuar shtetin, duhet të përshkallëzohet dhe të kalojë në një nivel më strategjik ku në vend se t’ua japim peshkun e gatshëm t’i mësojmë të zënë peshq grupeve të caktuara që kanë nevojë”, ka thënë ai.
Edhe
Hoxha e PDK-së e quan të kundërligjshëm rritjen e sotme të shtesave për lehonat
Hoxha ka njoftuar se viteve të fundit ka rezultuar që kontribuuesi më i madh i dhurimeve filantropike është diaspora.
“Diaspora është kontribuuesi më i madh i dhurimeve filantropike. Në vitin 2020 mbi 55 për qind të të gjitha atyre dhurimeve që janë regjistruar janë nga diaspora. Mirëpo jo të gjitha dhurimet janë publike. Kjo na dallon nga të gjitha vendet tjera të rajonit”, ka thënë ai.