Arbëri

Hovenieri kujton investimet miliardëshe të SHBA-së në Kosovë që nga viti 1999

Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka kujtuar investimet miliardëshe që janë bërë në Kosovë që nga viti 1999. Në konferencën për media, pas nënshkrimit të marrëveshjes nga e cila Kosova përfiton afro 35 milionë dollarë, Hovenier e Osmani kanë folur edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve e për përfitimet nga nënshkrimi i marrëveshjes së fundit

Afro 35 milionë dollarë ka përfituar Kosova nga marrëveshja e grantit, e cila u nënshkrua të premten nga presidentja Vjosa Osmani dhe ushtruesja e detyrës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler.

Në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, Osmani ka thënë se marrëveshja kontribuon në avancimin e raporteve mes dy vendeve.

Sipas saj, qëllimi i grantit është fuqizimi i administratës publike, eliminimi i burokracisë e promovimi i transparencës.

“Duke nxitur llogaridhënien dhe efikasitetin brenda institucioneve publike, kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e vazhdueshëm të korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit të reagimit ndaj nevojave të qytetarëve tanë”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, ka thënë se me marrëveshjen e nënshkruar konfirmohet edhe një herë partneriteti i SHBA-së me popullin e Kosovës.

“Dhe ky fond shtesë do të mbështesë qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën, përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomik dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe të zhvillimit të institucioneve demokratike”, ka thënë ai.

Osmani e Hovenier kanë folur edhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Në përpjekje tona për të garantuar një të ardhme më të begatë për qytetarët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ofruar vetëm mbështetje, por një partneritet të vërtetë”, është shprehur presidentja Osmani.

“Është e dobishme që të thuhet se prej vitit 1999, ShBA-ja ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë, duke çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta, përfshirë investime mbi 1 miliard dollar nga USAID-i. Dhe ma merr mendja që ky është manifestim i përkushtimit tonë ndaj popullit kosovar, siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar sot”, ka thënë Hovenier.

Pas konferencës Osmani dhe Hovenier mbajtën një takim e për të cilën nuk u dhanë detaje.