Arbëri

Hovenier: Synimi i Putinit për ta përçarë Perëndimin ka dështuar

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se historia do të tregojë se zgjedhja që ka bërë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka qenë e gabuar dhe se synimi i tij për ta përçarë Perëndimin ka dështuar.

Hovenier në shkrimin e tij në faqen e Ambasadës së SHBA-së, ka thënë se agresioni i Putinit ndaj Ukrainës do t’i kushtojë rëndë Rusisë.

“Duke zgjedhur të paguajë për luftë në vend të investimit në nevoja të rusëve, pushtimi i Ukrainës nga Putini do të jetë dështim strategjik për Kremlinin dhe do të shkatërrojë të ardhmen e popullit rus. Kur të shkruhet historia e kësaj epoke, do të tregohet se zgjedhja e Putinit për të nisur një luftë të paprovokuar, të padretjë dhe të paramenduar e bëri Perëndimin më të bashkuar dhe Rusinë më të dobët. Nuk do të përfundojë mirë për Vladimir Putinin. SHBA-ja, aleatët dhe partnerët po marrin masa për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse”, ka shkruar Hovenier. “Synimi i Putinit për ta përçarë Perëndimin ka dështuar. Përballë një prej sfidave më të mëdha të sigurisë evropiane dhe të idelave të demokracisë që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA-ja, aleatët dhee partnerët u bashkuan në solidaritet”.

Hovenier ka shkruar se ditët e ardhshme do të jenë të vështira për qytetarët e Ukrainës.

“Putini u ka shkaktuar dhembje të mëdha. Por, qytetarët në Ukrainë kanë njohur pavarësinë për 30 vjet dhe vazhdimisht kanë treguar se nuk do të tolerojnë askënd që synon ta kthejë vendin prapa. Agresioni i Putinit ndaj Ukrainës do t’i kushtojë Rusisë shumë, si ekonomikisht ashtu edhe strategjikisht. Qytetarët rusë meritojnë më mirë nga Qeveria e tyre sesa këtë kosto të madhe për të ardhmen e tyre që ia ka shkaktuar ky pushtim. Liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë forca dukshëm më të mëdha sesa frika dhe shtypja. Në këtë përballje mes demokracisë dhe autokracisë, mes sovranitetit dhe nënshtrimit, mos gaboni: Liria do të ngadhënjejë”, ka shkruar Hovenier.