Arbëri

Hovenier merr urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

Jeffrey Hovenier

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, që ka vendosur të largohet nga misioni në Kosovë dhe të pensionohet.

Osmani e ka vlerësuar Hovenierin si më shumë se një ambasador në Kosovë.

“Urdhri "Dr. Ibrahim Rugova", për Jeff Hovenier - i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador. Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit Ambasador Hovenier!” ka shkruar ajo në Facebook tek ka publikuar një video të ceremonisë.

Hovenier ka thënë se ka qenë privilegj që ka qenë ambasador në Kosovë. 

“Thellësisht i nderuar dhe mirënjohës që mora urdhrin presidencial ‘Dr. Ibrahim Rugova’ nga presidentja Vjosa Osmani mbrëmë. Kjo ka domethënie të madhe për mua pasi përfaqëson punën kolektive dhe përkushtimin e kujtdo që ka qenë pjesë e përpjekjes për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për shtet sovran, demokratik e multietnik. Ka qenë privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, ka shkruar Hovenier në platformën “X” të mërkurën.

Urdhri Për Paqe, Demokraci Dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, u jepet personave vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.

Hovenier është ambasador në Kosovë që nga janari i vitit 2022.