Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kronika zgjedhore / Hoti thotë se do të hapen arkivat e Serbisë për të pagjeturit

Mbështetje të parezervë për vreshtarët e vendlindjes së tij ka premtuar kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Gjatë fushatës të martën në Rahovec, Hoti ka thënë se del ballëhapur para qytetarëve, pas punës që ka bërë Qeveria e tij.

“Për bujqësinë kemi plane bukur ambicioze dhe në Rahovec është vendi për ta shpalosur plotësisht këtë plan. Kemi master-planin për ujitjen e tokave, për ta sjellë ujin në vreshtat e Rahovecit”, ka deklaruar Hoti, i cili është edhe kryetar i Degës së LDK-së në këtë qytet.

Bashkëvendësve, Hoti u ka kërkuar që të mos mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e ka krahasuar me parti komuniste.

“Mos u mashtroni. Merreni shembull Prizrenin, që qeveriset nga ata që vendosin shirita të kuq rrugëve, që është shenjë e sistemeve komuniste. Merreni shembull Podujevën, ku kryetari i ri është denoncuar nga një qytetar për sulm fizik. Pra, shihni çfarë shembujsh keni nga ata që po pretendojnë ta qeverisin Kosovën”, ka shtuar ai.

Edhe Kronika zgjedhore / Hoti zotohet t’i mbështesë veteranët dhe invalidët e UÇK-së Arbëri Kronika zgjedhore / Hoti zotohet t’i mbështesë veteranët dhe invalidët e UÇK-së

Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, ndërkaq i ka cilësuar zgjedhjet e 14 shkurtit si më të rëndësishmet për partinë e tij që nga paslufta.

“Këto zgjedhje janë pak a shumë si zgjedhjet e vitit 2000. LDK-ja duhet të dëshmojë fuqinë e strukturës së saj. LDK-në ju e votoni jo vetëm si parti tuajën, por edhe si parti të cilën e doni. LDK-ja do ta përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të fundit, madje do ta rrisë atë edhe më tutje”, është shprehur Shala.

Kurse kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova ka nevojë të ecë përpara me LDK-në si drejtuese të saj.

“Ju dëshiroj që të merrni shumë vota dhe ta përfaqësoni Rahovecin në mënyrë dinjitoze. Më 14 shkurt ta votojmë listën e LDK-së me kandidatët më të mirë, njerëz jo të korruptuar, njerëz që dinë të punojnë dhe e duan vendin”, ka theksuar Pacolli. Pas Rahovecit, Hoti është ndalur në Gjakovë. Brenda një ambienti të mbyllur e të vogël, LDK-ja ka mbledhur qindra njerëz, duke shkelur masat kundër COVID-19. Para qytetarëve të Gjakovës, Hoti është shprehur i bindur se do të ketë rezultate për çështjen e të pagjeturve.

“Asnjë qeveri nuk e ka trajtuar më mirë çështjen e të pagjeturve. E kemi shtruar temë të parë në procesin e dialogut, jam konsultuar me të gjitha shoqatat e familjeve të të pagjeturve se si të dizajnojmë këtë proces dhe ne kemi mbërritur rezultate. A e dini cilat janë ato rezultate? Që do të hapen të gjitha arkivat shtetërore të Serbisë pa asnjë kushtëzim, për të ofruar informatat për personat e pagjetur, që do të vendoset drejtësia për ato raste”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se vitin e kaluar ka nisur realizimi i disa projekteve në Gjakovë, për të cilat ka thënë se do të vazhdojnë edhe sivjet, si dhe vitin e ardhshëm.

Edhe Gjini premton kapitull të ri për Gjakovën, Latifi vazhdim të projekteve të mëdha për Rahovecin Zgjedhjet lokale Gjini premton kapitull të ri për Gjakovën, Latifi vazhdim të projekteve të mëdha për Rahovecin

“Kemi investuar në këto projekte: Ndërrimi i gypave të azbestit - çimentos në qytetin e Gjakovës; Riparimi i rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë; Zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë; Ndërtimi i qarkores se Gjakovës; Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjakovë; Ndërtimi dhe Renovimi i infrastrukturës së Universitetit të Gjakovës”, ka deklaruar Hoti.

Në sallën e mbushur përplot, të martën është festuar edhe ditëlindja e dytë gjatë kësaj fushate. Pas festës për Hotin, ditë më parë, të pranishmit e kanë uruar kandidaten për deputete, Marigona Geci. Tubim, Hoti ka mbajtur edhe në Malishevë.