Deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, tha se qysh në fillim nuk kanë shfaqur dilema, madje ai ka shprehur gatishmërinë se do ta mbështes Thaçin për çdo veprim që ka të bëjë me themelimin e ushtrisë, por që tani ai e quan të papjekur punën e tij.
“Mënyra se si ai iu qas krijimit të FSK-së, do të thosha se është mënyrë e papjekur dhe e papërgjegjshme. Ne nuk i kemi besu kurrë manipulimeve të tij, e keqja është që ai ka hapur debat që ne nuk po mund të kuptohemi mes vete”, tha Hoti në një intervistë në Interaktiv.
“FSK-ja, është një forcë që ka mandate të fuqishme, por mënyra si iu është qasur Thaçi është e pandërgjegjshme”, shtoi më tej ai.
Ai tha se serbët janë ata që po e pengojnë këtë çështje, megjithatë qeveria vazhdon të mos reagojë e të mos i kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e saj si institucion.
“Kjo qeveri i ka krijuar probleme të mëdha këtij vend”, tha ai.
Në anën tjetër, Hoti i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që sa më shpejt të përcjellë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për demarkacionin, sa më shpejt që kjo të jetë e mundur.
“Le të vije në Kuvend dhe aty të rrëzohet. Ata duhet ta sjellin sa ma shpejt në Kuvend dhe aty deputetët të gjykojnë në bazë të bindjeve të veta. Por mendoj se deputetët tashmë janë të vendosur që ta rrëzojnë këtë demarkacion”, ka thënë ai.
Vendi rrezikon të humb mbi 8 mijë hektarë, ka insistuar ai.