Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka renditur katër vërejtje për qeverisjen aktuale më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Sipas tij, pagat e punëtorëve përveç se nuk janë rritur në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vjetët e fundit, shpenzimet totale për paga të punëtorëve të sektorit publik kanë shënuar rënie.
“Pagat nuk u rritën në vitin me inflacionin më të lartë në 15 vitet e fundit, përkundrazi. Bazuar në raportin e buxhetit për 2022, shpenzimet totale për paga të 85 mijë punëtorëve të sektorit publik (që janë 1/4 e punëtorëve në nivel vendi) pësuan rënie me 3% krahasuar me vitin paraprak”, ka thënë ai.
Hoti më tej ka përmendur edhe Ligjin e Pagave në sektorin publik, që sipas tij më shumë ka krijuar probleme se që ka zgjidhur.
“Ky ligj krijoi pasiguri pasi uli ndjeshëm pagat në veçanti në institucionet e pavarura dhe për profesionet e rralla në treg (ekspertët e teknologjisë së informacionit, inxhinierët e ndryshëm etj.). Për shkak që është shtyrë miratimi i tij pa asnjë arsye, ishte vonë për t’u buxhetuar në mënyrë të rregullt në buxhetin e vitit 2023. Për shkak të mungesës së konsultimeve me sindikatat, shumë të punësuar mbetën të pakënaqur dhe ligji përfundoi në Gjykatë Kushtetuese”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Ligji për pagën minimale është harruar plotësisht prej kur u miratua në lexim të parë në Kuvend.
“Ligji për pagën minimale, që do të ndikonte në rritjen e pagave të ulëta në sektorin privat, u miratua në lexim të parë në Kuvend para një viti. Nga atëherë është harruar plotësisht, edhe pse ky ligj përbënte ‘reformën’ kryesore të mazhorancës së majtë në pushtet”, ka shkruar ai.
Vërejtja tjetër e Hotit ka të bëjë me rritjen e tatimit në pronë dhe shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Pavarësisht se me subvencione po ndihmohen familjet që kursejnë energji, si dhe janë ndihmuar bizneset gjatë vitit 2022, në fund të fundit efekti makroekonomik është i njëjtë pasi po përdoren tatimet e qytetarëve për këto subvencione. Këto tatime do të mund të shkonin për të mira të tjera publike shumë më të nevojshme, siç është arsimi dhe shëndetësia”, është shprehur ai.