Pak minuta pasi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, lëshoi akuza për partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, të cilat sipas tij nuk po bëhen pjesë e Dialogut me Serbinë me të vetmin qëllim se duan të jenë në pushtet, ka reaguar shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti.
Zyrtari i LDK-së tha se Veseli një ditë fyen opozitën, ditën tjetër e lut për unitet ndërsa një ditë tjetër kacafytet me ndonjë deputet.
“Z. Veseli, një ditë e fyen e opozitën, tjetrën ditë e lut për unitet, e një herë tjetër kacafytet me ndonjë deputet”, shkroi Hoti në Facebook.
Unifikimi, sipas tij, arrihet me pranim të përgjegjësisë që secili ka në kapacitetet e veta respektive, ndërsa kërkoi nga Veseli që të pranojë përgjegjësinë për, siç tha, “dështimet që koalicioni PAN i ka sjell Kosovës gjate këtij viti”.
“Ai duhet të pranojë se koalicioni PAN nuk ka fuqi të qeveris në mënyrë demokratike me Kosovën. Ai duhet të pranojë se si Kryetar i Kuvendit ka dështuar të mundësojë funksionimin normal të Kuvendit, pasi të gjitha seancat e sesionin vjeshtor, nga data 13 shtator 2018 e këndej, janë të hapura”, theksoi Hoti, raporton Koha.net.
Tutje, shefi i deputetëve të LDK-së tha se Veseli, në vend të pranojë këto përgjegjësi, “ai bëri pazar me Buxhetin e Shtetit për të siguruar votat për kalimin e buxhetit për 2019 në lexim të parë. Ndërkaq, leximin e dytë e shtyn në vitin tjetër, duke krijuar vështirësi në ekzekutimin e shpenzimeve në fillim të vitit që vjen”.
Edhe
Hoti: Në Kuvend kalojnë vetëm pikat e PAN-it, kur e ka përkrahjen e PSD-së
Ne, tha Hoti, po punojmë për të unifikuar skenën politike për të ndryshuar këtë lloj të qeverisjes dhe atë, thotë ai, “e kemi arritur”.
“Opozita e sotme është shumë më e fuqishme se koalicioni PAN, si me numra në Kuvend ashtu edhe me mbështetje qytetare. Qeverisja e ardhshme e kësaj opozite do të adresojë strukturalisht të gjitha dëmet që koalicioni PAN i ka bërë Kosovës në vetëm një vit të qeverisjes. Kosovës i duhet qeverisje që punon për 20 vitet ardhshme, e jo politikanë oportunistë që çdo veprim të tyre e peshojnë në raport me votat e mundshme në zgjedhjet e ardhshme”, tha në fund Avdullah Hoti, Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.
-
LDK-ja e Vetëvendosje sërish e quajnë hipokrite thirrjen e Veselit për unitet
-
Hoti: Thirrjen për unitet në dialog koalicioni PAN-PSD e ka kthyer në akuzë djallëzore kundër opozitës
-
Veseli thotë se seanca u shty me kërkesë të Haradinajt, akuzon Hotin
-
LDK e Vetëvendosje me tekst të harmonizuar për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë