Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për degradim, teksa është deklaruar rreth ndarjes së mjeteve për furnizimin me tekste shkollore të nxënësve.
Hoti ka thënë se miliona euro më shumë janë shpenzuar nga buxheti për libra, gjë që sipas tij, ka ndodhur për shkak të neglizhencës dhe paaftësisë.
“Shtëpitë botuese do të marrin nga libraritë, apo shitësit me pakicë, shumën e njëjtë të buxhetit sikurse që ofertuan në tenderin e qeverisë, ndoshta edhe më shumë. Por, librat do t'i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave. Për keqardhje ku ka degraduar qeverisja e vendit. Imagjinoni si do kishin reaguar këta mashtrues sikur kjo të ndodhte në qeveritë paraprake”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas Hotit, ky është viti i dytë me radhë që mësimi nuk fillon me rregull.
“Vitin e kaluar qeveria ishte në luftë me sindikatat dhe u humbën shumë javë mësim. Këtë vit problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit”, ka shtuar ai.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, teksa është deklaruar rreth çështjes së sigurimit të librave shkollorë për nxënësit, e ka akuzuar Qeverinë për paaftësi, që sipas tij, po kushton.