Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për shkak të zhvillimeve globale, Kosova është prekur nga kriza ekonomike sikurse vendet e tjera.
Por, ai ka thënë se kriza në Kosovë po thellohet.
Në një status në Facebook, Hoti ka paraqitur disa pika për të cilat thotë se kanë rënduar situatën.
“Shihni listën në vijim dhe gjykoni vetë se çfarë ka pasur mundësi të bëjë qeveria:- Dyfishohet TVSH-ja që e mbledh shteti nga qytetari për litër të naftës. - Nuk miratohet lista e mallrave shtesë me TVSH të ulur në 8%, siç e mundëson ligji në fuqi i TVSH-së. - Mbetet në fuqi vendimi i ZRRE-së për rritje të tarifave të energjisë elektrike. - Refuzohet tërheqja e një pjese të kursimeve nga Trustin Pensional. - Nuk rriten pagat, pensionet dhe ndihma sociale së paku sa janë rritur çmimet e mallrave të konsumit bazik. Siç raportojnë zyrtarët qeveritarë, të hyrat tatimore janë rritur rekord!!! Ndoshta kjo është me rëndësi”, ka shkruar ai.