Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vlerëson se integrimi i tregut është hapi i parë në drejtim të pajtimit politik të rajonit.
Ai ka shtuar se qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale është kyçe për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin në BE të gjithë rajonit, njofton kryeministria.
Hoti ka folur në Forumin Ekonomik të Vjenës, “Vjena dialogu për të ardhmen 2020” me moton “Ekonomia takon politikën në botën digjitale”.
Në këtë forum ku u diskutua kryesisht për nevojën për mobilizim të ri në botën digjitale, sfidat dhe mundësitë për ekonominë e rajonit, Hoti, tha se përkundër pandemisë Covid-19, Kosova ka vazhduar angazhimet konkrete për të realizuar agjendën evropiane, me theks të veçantë në Tregun e Përbashkët Rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka shtuar se është i vendosur për të promovuar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe politike dhe pret qasje konstruktive nga të gjitha palët, sidomos nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Bashkëpunimi multilateral siç është Tregu i Përbashkët Rajonal, promovon dhe përmirëson sigurinë në rajon, qëndrueshmërinë politike dhe bashkëpunimin ekonomik”, shtoi Hoti.
Hoti pret që integrimi rajonal i Ballkanit Perëndimor ta përmirësojë perspektivën drejt zgjerimit të BE-së dhe jo ta zëvendësojë atë.
Edhe
Hoti: BE-ja mbetet aspirata jonë për integrim politik dhe ekonomik
Ai nënvizoi se, bashkëpunimi multilateral ekonomik kërkon zotime të përbashkëta për tregun e përbashkët, ide kreative dhe projekte të përbashkëta ekonomike.
Kryeministrit Hoti foli edhe për projektet konkrete të bashkëpunimit multilateral me të cilat promovohen katër liritë: shërbimet, kapitali, idetë si dhe liria e dijës dhe e hulumtimit.
Duke komentuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar që të rris kapacitetet absorbuese, të thelloj bashkëpunimin me këto vende, partnerët ndërkombëtarë dhe Komisionin Evropian, me qëllim që të përfitoj nga projektet për investime.