Arbëri

Hoti insiston se në takimin e 4 shtatorit flitet për njohje, në agjendë vetëm tema ekonomike

Asnjë pikë nga agjenda zyrtare që tashmë me të cilën janë njoftuar palët për takimin e 4 shtatorit në Washington, nuk është zbardhur nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu, nuk ka as një platformë të shkruar.

Derisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se për të vetëm një pikë është e papranueshme, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë një qëndrim përkitazi me agjendën.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas homazheve tek obelisku i personave të pagjetur ka përsëritur se njohja reciproke me Serbinë është tema e vetme në secilin takim.

Por, sipas asaj që kanë deklaruar vazhdimisht nikoqirët e takimit dhe presidenti serb, Vuçiq, njohja reciproke të cilën e ka proklamuar kryeministri Hoti nuk do të jetë temë në takimin e 4 shtatorit.

Zyra e Robert O’Brien, i cili është këshilltar për Siguri Kombëtare, ka konfirmuar se ekonomia dhe krijimi i vendeve të punës- janë tema rreth të cilave do të negociohet.

Njohës të këtij procesi thonë se deri më tani ka munguar transparenca rreth temave që ngrihen për diskutime në dialog.

Allen Meta, hulumtues në Institutin Demokraci për Zhvillim (D4D) i cili mbikëqyrë procesin e dialogut, ka thënë se jo transparenca e ka shoqëruar këtë proces në vazhdimësi.

“Realisht qe nëntë vite, ne ballafaqohemi me jo transparencë nga qeveria e Kosovës dhe Beogradi zyrtar. Edhe kjo ka ndikuar që dialogu shumë herë të keqkuptohet. Ne besojmë se përvoja 9 vjeçare është dashur shërbejë që të dihet qartë se me çfarë tema shkohet në dialog me Serbinë dhe t’i kenë vijat e kuqe se, për çka nuk duhet të bisedojnë”, ka theksuar Meta.

“Koha” merr vesh se përgatitjet për takimin e Washingtoni po bëhen rreth aspekteve ekonomike, ku synohet të finalizohen letrat për shprehje të interesit në ndërtimin e autostradave dhe hapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore. Për këtë qëllim, pjesë e delegacionit do të jetë edhe ministri i Infrastrukturës, Abrashi. “Koha” ka provuar të vërë kontakt me Abrashin, por nuk është përgjigjur. Këto marrëveshje ishin arritur në shkurt të këtij viti, nën ndërmjetësimin e emisarit amerikan, Richard Grenell. Me vendosjen e korridorit hekurudhor synohet të bëhet lidhja ndërmjet Prishtinës përmes pikës së kalimit kufitar në Merdar me linjën ekzistuese në Nish e pastaj për në korridorin e linjës hekurudhore Alpet- Ballkani Perëndimor.

Sipas kryeministrit Hoti, koalicioni është unik sa i përket dialogut me Serbinë, duke përmendur kërkesën e tij ndaj opozitës për përfshirje në bisedime. Por pjesë e delegacionit do të jenë vetëm anëtarët e kabinetit, si dhe koordinatori për dialog, Skënder Hyseni. Hoti do të marrë me vete zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj e Albulena Balaj-Halimaj, ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Arban Abrashi, si dhe shefen e stafit, Ardita Dushi.