Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Flemë mbi të, por vitin që shkoi importuam 6 milionë euro qymyr

Avdullah Hoti

Foto: Arkiv

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka thënë se bizneset private janë duke u detyruar të importojnë qymyr, për shkak se kontrata e ndërmarrjes “Kosova Thëngjill” me Korporatën energjetike të Kosovës (KEK) nuk është aktive.

“Flemë mbi qymyr, por importojmë qymyr. Një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit. Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij vitin e kaluar Kosova ka importuar së paku 6 milionë euro qymyr.

“Kontrata e kësaj ndërmarrje me KEK-un nuk është aktive. Punëtorët e saj janë pa të ardhura. Sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë. Së paku 6 milionë euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga ‘Kosova Thëngjilli’”, ka shkruar Hoti.

Ai ka pyetur se “për kur po e ruajmë qymyrin?” e “çfarë strategjie është kjo?”.

“Pse duhet bizneset të blejnë qymyr tri herë më shtrenjtë nga Serbia e nga vendet e tjera? Pse të mos eksportohet qymyri kur tani ka kërkesë nga disa vende për shkak të krizës energjetike?”, ka shkruar Hoti.

Image