Arbëri

Hoti e Bajrami takojnë ndaras Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në BERZH

Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe zëvendësministri Agim Krasniqi pritën sot në takim delegacionin e BERZH-it të kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në BERZH, Holger Muent.

Në njoftimin për media të kësaj ministrie, thuhet se në këtë takim u bisedua për kontributin e BERZH-i për Kosovën, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për mbështetjen që ka dhënë BERZH-i deri me tani për financimin e projekteve kapitale të Qeverisë, në veçanti për projektet infrastrukturore, në sektorin e transportit, ujitje dhe për zonat ekonomike si dhe për mbështetjen e skemës për garantimin e kredive. Ata gjithashtu u dakorduan për të rritur edhe më shumë bashkëpunimin në fushat të cilat krijojnë një perspektivë më të mirë për qytetarët e Kosovës me theks të veçantë zhvillimin e bizneseve private si e vetmja rrugë zhvillimore e një vendi e cila ndikon direkt në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik të tij”, thuhet në njoftim.

Image

Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim këtë delegacion.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në këtë takim u diskutua rreth identifikimit të fushave në të cilat MTI dhe BERZH do të vazhdojnë bashkëpunimin në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit, qasjes në financa për ndërmarrjet dhe nxitjen e investimeve në Republikën e Kosovës.

Ministrja Bajrami, theksoi rëndësinë e projekteve të udhëhequra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si: krijimi i Zonave Ekonomike, të cilat ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe tërheqjen e investimeve të reja; certifikimi i produkteve me standarde të cilësisë si një projekt i rëndësishëm i cili iu mundëson prodhuesve vendorë të jenë më konkurrentë në tregjet ndërkombëtare, sidomos tash pas mundësive që ofrohen përmes MSA-së, etj.

Gjithashtu, ajo informoi bashkëbiseduesit edhe për potencialin e zhvillimit të turizmit kosovar përmes projekteve të ndryshme në të cilat BERZH-i mund të ndihmojë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për bashkëpunim dhe shprehën interesimin e tyre për të mbështetur MTI-në në financimin e projekteve kapitale të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.