Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Dilemat e Brukselit për formatin e marrëveshjes Kosovë-Serbisë kanë rritur pasigurinë

Akademia Politike e Partisë Popullore dhe Fondacioni “KonradAdenauer” ka mbajtur konferencën “Fuqizimi i Bashkëpunimit Rajonal në mes të Parlamenteve”, e cila po mbahet në Vjenë të Austrisë, e në të cilën të ftuar janë Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti së bashku me deputetin e LDK-së, Armend Zemaj.

Në këtë Konferencë u trajtua edhe tema “Integrimi Evropian dhe Procesi i Berlinit: rruga që duhet ndjekur” në panelin e së cilës ishte edhe Hoti.

Ai, gjatë prezantimit të arriturave të Kosovës nga Procesi i Berlinit, theksoi se ky Proces ka sjellë përfitime për Kosovën.

“Kosova është bërë pjesë e një numri të madh të iniciativave të BE-së dhe gëzon një pozitë të barabartë me vendet fqinje për sa i përket projekteve dhe pjesëmarrjes në Procesin e Berlinit. Kosova ka përfituar një projekt për transportin dhe ka miratuar një numër të madh të iniciativave rajonale. Por, rruga e Kosovës drejtë BE-së në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit është më sfiduese. Kur e them këtë kam parasysh se pesë vende anëtare të BE-së akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kemi konteste të pazgjidhura me Serbinë si dhe mungesë të marrëdhënieve bilaterale me Bosnjën dhe Hercegovinën”, tha Hoti.

Përveç kësaj, Hoti tha se performanca e Kosovës në shumë sfera të tjera, përfshirë Procesin e Berlinit, po pengohet nga paqëndrueshmëria politike në rajon.

“Na duhet avokim shumë aktiv për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe konferenca si kjo sot janë mundësi e mirë drejt arritjes së këtij qëllimi. Rajoni ka nevojë për stabilitet politik, e cila gjë arrihet duke qartësuar rrugën për integrim evropian të rajonit në përgjithësi dhe për vendet individualisht. Kosova është e gatshme të kontribuojë në nismat rajonale mbi baza të barabarta si çdo shtet tjetër i rajonit. Dilemat që ka Brukseli për formatin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë rritur pasigurinë. Duhet të eliminohet sa më parë kjo paqartësi, duke respektuar kriterin se vendet duhet ta njohin njëra tjetrën kështu si janë dhe duhet të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet në mes tyre. Progresi drejt BE-së duhet të kushtëzohet nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Dhe jo vetëm kaq. BE-ja duhet të përdorë levat që ka në dorë për t'i shtyrë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”, u shpreh shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Edhe Hoti: Kosovës i duhet strategji nacionale dhe konsensus i gjerë për Procesin e Berlinit Arbëri Hoti: Kosovës i duhet strategji nacionale dhe konsensus i gjerë për Procesin e Berlinit

Ndërkaq deputeti Zemaj, gjatë trajtimit të temës së rolit të parlamentit në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe bashkëpunimin ndërparlamentar me vendet e rajonit dhe BE-së, theksoi se duhet punuar shumë drejt përmbushjes së rolit kushtetues të parlamentit duke veçuar ndikimin e qeverisë dhe tendencën e kontrollit mbi kuvendin dhe jo anasjelltas.

Po ashtu ai theksoi se nga vendet me ndikim të BE-së tejshfaqet perceptimi se ata më shumë preokupohen me fatin politik të liderëve në rajon, qofshin ata edhe të korruptuar dhe me akuza gjyqësore, se sa me fatin politik të qytetarëve dhe integrimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Konferenca ka për qëllim krijimin e mundësive për bashkëpunimit ndër parlamentar në Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë në fuqizim të bashkëpunimit regjional parlamentar. Në konferencë po marrin pjesë anëtarë të Parlamenteve nga i gjithë Ballkani.