Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Aparati qeveritar s’e kupton gropën ku ka rënë me Marrëveshjen e Ohrit

Avdullah Hoti

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se Qeveria Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani s’e kanë kuptuar “gropën ku kanë rënë me Marrëveshjen e Ohrit”.

Ai ka shkruar në Facebook të martën se Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian, e kryeministri Albin Kurti po kërkon të shkëputet procesi i integrimit evropian nga Marrëveshja e Ohrit.

Sipas Hotit, Qeveria e ka degraduar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe rrugën drejt BE-së “duke ia nënshtruar zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”.

“Tani kur është bërë dëmi, kur Kosova po vuan nga sanksionet e Bashkimit Evropian që kanë bllokuar rreth 300 milionë për projekte të ndryshme, në Shkup, Kryeministri kërkon që të shkëputet procesi i integrimit evropian i Kosovës nga Marrëveshja e Ohrit. Gjithë ai aparat qeveritar, me gjithë ata këshilltarë, e me Presidenten juristen, si nuk e kanë kuptuar gropën ku kanë rënë me pranimin e Marrëveshjes së Ohrit? Është e kuptueshme tani injorimi që iu bënë BE-ja kur kërkojnë të shkëputet procesi i integrimit evropian të Kosovës nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas Hotit, Qeveria Mustafa në 2015-n e kishte arritur Marrëveshjen me BE-në për rrugën drejt integrimit.

“Kjo mbetet marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian, sigurisht me status të veçantë pasi kishte dhe ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Qeveria aktuale e degradoi MSA-në dhe gjithë procesin e integrimit evropian të Kosovës duke ia nënshtruar atë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka disa nene shumë problematike për rendin kushtetues dhe ligjor së Kosovës. Marrëveshja e Ohrit u bë me vullnet të lirë, bile kryeministri insistonte nëpër korridoret e hotelit në Ohër për nënshkrim të marrëveshjes”, është shprehur ai.