Arbëri

Hoti akuzon Qeverinë se “ia dha të mbrapshtën” Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë Kurti se “ia ka dhënë të mbrapshtën” vendit.

Në një shkrim në Facebook, Hoti ka thënë se Qeveria ka acaruar raportet e Kosovës me botën demokratike, ka bllokuar procesin eurointegrues e ka cenuar raportet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Në vend që vendimet të merren në Prishtinë në bashkëpunim dhe sipas këshillave të miqve tanë, këta shkojnë të dialogojnë me Serbinë në Bruksel. Para një jave thonin se nuk diskutojnë në Bruksel për çështjen e dinarit. Tani detyrohen të ulen në tavolinë”, ka shkruar Hoti. “Në vend se të dëgjoheshin këshillat e miqve e të vazhdohej dialogu i nisur për marrëveshje finale për njohje reciproke, mbrapshtitë e qeveritarëve në shkuarje na acaruan raportet me gjithë botën demokratike, na dhanë të mbrapshtën, na krijuan status quo të re, na bllokuan procesin eurointegrues, na sollën sanksione, na cenuan raportet shtetërore me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, i bënë pikë e pesë shqiptarët në Luginë e në Maqedoni të Veriut”.

Të martën e ardhshme, në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë. Siç kanë thënë në Bashkimin Evropian, në këtë takim do të diskutohet edhe për çështjen e dinarit, që me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës është ndaluar për qarkullim ‘cash’. E për këtë rregullore, Kosova është kritikuar nga aleatët. Madje, së fundmi, emisari amerikan Gabriel Escobar, e ka cilësuar këtë çështje si “emergjente humanitare”.