Zgjedhjet e para të pasluftës deri në vitin 2008 synim kryesor kishin stabilitetin, para adresimit të statusit përfundimtar. OSBE-ja, si njëra prej shtyllave kryesore të UNMIK-ut, ishte dizajnuese e sistemit proporcional zgjedhor, i cili me pak ndryshime ka mbetur pothuajse i njëjtë
Prishtinë, 14 shkurt - Mes pasojave shkatërruese që la lufta e një polarizimi të skajshëm ndërmjet etnive, por edhe midis krahut të paqes e atij të luftës, zë fill historiku i zgjedhjeve demokratike në Kosovë.
Zgjedhjet e para të pasluftës deri në vitin 2008 synim kryesor kishin stabilitetin para adresimit të statusit përfundimtar. OSBE-ja, si njëra prej shtyllave kryesore të UNMIK-ut, ishte dizajnuese e sistemit proporcional zgjedhor, i cili me pak ndryshime ka mbetur pothuajse i njëjtë.
Sipas Kornizës Kushtetuese, 20 prej 120 vendeve në Kuvend do t’u takonin minoriteteve. Ky standard vazhdoi edhe pas shpalljes së Pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së Kosovës.
Ky sistem konsiderohej më i përshtatshmi marrë parasysh rrethanat e pasluftës dhe ndarjet e mëdha që ekzistonin.
Zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-tës janë të tetat që organizohen në periudhën brenda 20 vjetësh.
Zgjedhjet 2001
Historike ishin cilësuar zgjedhjet e para të pasluftës nga organizatat ndërkombëtare, të cilat i hapën rrugë themelimit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, pas të cilave do të niste dhe transferimi gradual i kompetencave nga UNMIK-u.
Në zgjedhjet e para të organizuara LDK-ja doli fituese me 45.7 për qind të votave. E dyta ishte PDK-ja me 25.7 për qind, kurse AAK-ja e treta me 7.8 për qind të votës së përgjithshme. Në zgjedhje morën pjesë edhe serbët, që ishin bashkuar rreth koalicionit të njohur si “Povratak”, duke fituar 11.3 për qind të votave.
Rënia e Slobodan Milosheviqit bëri që serbët për dallim prej zgjedhjeve lokale të vitit 2000, të mos i bojkotonin edhe zgjedhjet e para parlamentare. Kjo u bë e mundshme pas një marrëveshjeje mes shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Hans Haekkerup, dhe kryetarit të Qendrës të Bashkërendimit me Kosovën të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, Nebojsha Çoviq.
Zgjedhjet 2004
Zgjedhjet e dyta parlamentare u organizuan më 23 tetor 2004. Me gjithë kërkesat që partitë t’i hapin listat, nuk pati ndryshime të sistemit zgjedhor. Pjesë e garës ishin 33 subjekte politike. Edhe këto zgjedhje i fitoi LDK-ja me 313 mijë e 437 vota, që përkthyer në mandate i bie 47 ulëse në Kuvend. PDK-ja arriti t’i fitonte 30 deputetë nga rreth 200 mijë vota të fituara. E treta doli AAK-ja me 57 mijë e 931 vota ose nëntë ulëse. Në këto zgjedhje kishte garuar lista qytetare “ORA” e Veton Surroit, duke fituar 6.23 për qind të votave të përgjithshme. Kjo parti ishte bërë pjesë e Kuvendit me shtatë deputetë.
Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve ishte bojkotimi i serbëve dhe pjesëmarrja e ulët e tyre në shenjë revolte pas ngjarjeve të marsit të atij viti. Me përjashtim të listës së ashtuquajtur “Lista Kosova dhe Metohija”, e cila drejtohej nga Slavisha Petkoviq, partitë e tjera i bojkotuan zgjedhjet.
Pas ngjarjeve të marsit, të cilat Kosovën e vendosën në pozitë të pavolitshme në raport me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave, nisën negociatat e Vjenës për zgjidhjen e statusit final, të ndërmjetësuar nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari. Ato do të përcaktonin edhe proceset e ardhshme zgjedhore.
Legjislatura e këtij viti, por edhe parapraket ishin të vetmet që përfunduan mandatin e plotë. Të gjitha legjislaturat pasuese nuk e kanë çuar mandatin deri në fund.
Zgjedhjet 2007
Derisa Kosova po shkonte drejt shpalljes së Pavarësisë pas negociatave të Vjenës, më 17 nëntor të vitit 2007 u mbajtën zgjedhjet e treta me radhë. Për herë të parë Partia Demokratike në koalicion me disa parti të vogla doli fituese me 196 mijë vota dhe mori 37 mandate.
Në vitin 2006 LDK-ja mbeti pa kryetarin Ibrahim Rugova dhe po atë vit u nda në dy pjesë, pas atij që njihet si “Kuvendi i karrigeve”. Nga 313 mijë e 437 vota në vitin 2004, LDK-ja ra në 129 mijë e 410 në vitin 2007, duke shënuar kështu rezultatin më të keq në historinë e saj.
Pjesë e Kuvendit do të bëhej edhe Aleanca Kosova e Re e udhëhequr prej Behgjet Pacollit më 9.6 për qind. Edhe pse Nexhat Daci ndau rrugët me LDK-në duke formuar Lidhjen Demokratike të Dardanisë, arriti që në koalicion me Partinë Shqiptare Demokristiane t’i fitojë 11 ulëse në legjislaturën e tretë. Kurse AAK-ja e Haradinajt kishte dhjetë deputetë.
Një fushatë e madhe e shoqërisë civile çoi në hapjen e listave të partive dhe në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave.
Zgjedhjet 2010
Një vit para shpalljes së Pavarësisë, OSBE-ja gradualisht kishte nisur transferimin e kompetencave tek institucionet vendore për organizmin e zgjedhjeve. Kësisoj, zgjedhjet e vitit 2010 ishin të parat që u organizuan nga Kosova pas 17 shkurtit të vitit 2008, kur ishte shpallur pavarësia. Njëkohësisht ishin mbajtur edhe zgjedhjet lokale.
Edhe zgjedhjet e vitit 2010 i kishte fituar Partia Demokratike, ndonëse vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë i vlerësuan si më të këqijat të organizuara që nga paslufta në Kosovë, për shkak të manipulimeve. Madje ambasadori i atëhershëm amerikan, Christopher Dell, e kishte kualifikuar procesin si “vjedhje industriale të votave”. Manipulimi ishte aq i madh saqë Komisioni Qendror Zgjedhor u detyrua t‘i riorganizonte zgjedhjet në disa komuna, si Skenderaj, Drenas dhe Deçan.
Në këto zgjedhje PDK-ja kishte arritur t’i fitonte mbi 224 mijë vota, përkatësisht 34 deputetë, e LDK, si e dyta, 27 ulëse.
Për herë të parë mori pjesë në zgjedhje edhe Lëvizja Vetëvendosje duke u renditur si forca e tretë në Kuvend, me mbi 88 mijë vota të fituara.
AAK-ja kishte arritur t’i siguronte 12 deputetë e koalicioni AKR-PD-PSD dhe disa parti të tjera kishin fituar rreth 60 mijë vota apo 8 mandate.
Gjatë kësaj legjislature u tentua të adresohej reforma zgjedhore, së cilës i parapriu një marrëveshje mes partive në pushtet dhe LDK-së që atëkohë ishte në opozitë. Në prillin e vitit 2011, me ndërmjetësimin e ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell, liderët e partive Hashim Thaçi (PDK), Isa Mustafa (LDK) dhe Behgjet Pacolli (AKR) nënshkruan një marrëveshje prej disa pikave. Nëpërmjet saj u tentua të shmangej kriza dhe zgjedhjet e reja pasi vënia e Behgjet Pacollit në krye të shtetit ishte shpallur antikushtetuese.
Sipas pikës së parë, liderët pajtoheshin që Atifete Jahjaga, deri atëherë emër i panjohur që vinte nga Policia e Kosovës, të vihej në krye të Presidencës. Në pikën e dytë ishte dakordimi për formimin e një komisioni për reformën kushtetuese sa i përket zgjedhjes së presidentit. E pika pasuese parashihte formimin e një komisioni për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Pika e fundit fliste për organizimin e zgjedhjeve pas 18 muajsh, kur këto amendamente do të hynin në fuqi.
Por asnjëra prej tyre nuk u realizua kurrë, pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se reforma kushtetuese nuk mund t’ia cenonte presidentes Jahjaga mandatin e plotë 5-vjeçar.
Zgjedhjet 2014
As legjislatura e pestë me radhë nuk arriti ta çonte deri në fund mandatin e plotë dhe vendi shkoi në zgjedhjet e radhës më 8 qershor 2014.
PDK-ja i fitoi ato me 30,38 për qind, ku hise kishin edhe Partia e Drejtësisë (PD), Lëvizja për Bashkim (LB), Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK) dhe Partia Konservatore (PKK). Megjithatë, asnjëra nga partitë politike për gjashtë muaj nuk pranoi të hynte me të në koalicion. LDK-ja, VV-ja, AAK-ja dhe Nisma, e cila u themelua nga ish-eksponentë të PDK-së, tentuan t’i formojnë institucionet duke e lënë PDK-në në opozitë. Por vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave e drejta e propozimit të kryetarit të Kuvendit i takon vetëm partisë fituese, sikurse edhe e drejta që herën e parë ta propozojë kandidatin për kryeministër, theu bllokun opozitar. Lidhja Demokratike, e cila në zgjedhje kishte dalë e dyta, iu rikthye koalicioneve me PDK-në.
Për herë të parë LDK-ja e mori postin e kryeministrit të vendit, kurse Partia Demokratike atë të kryetarit të Kuvendit.
Më 2014-n për herë të parë u organizuan zgjedhjet nga ana e Kosovës në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, me ndihmën e OSBE-së. Paraprakisht ishin mbajtur edhe zgjedhjet lokale në nëntor të vitit 2013, si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.
Zgjedhjet 2017
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa, të cilin e mbështeti edhe PDK-ja, e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Me gjithë krijimin e koalicioneve të mëdha, këto zgjedhje dëshmuan shembjen e bastioneve të partive që kanë qenë pjesë e pushtetit në periudha të ndryshme të pasluftës.
Partisë Demokratike (PDK), e cila prej tri mandatesh mbante statusin e subjektit me fuqinë më të madhe elektorale, gati iu përgjysmua vota në rajonin e Drenicës, ku përpara ka ditur të siguronte mbështetjen edhe në shkallën mbi 90 për qind. Kjo parti në zgjedhjet e 2019-s garoi në koalicion me AAK-në, Nismën dhe disa subjekte të tjera. Bashkërisht arritën t’i siguronin vetëm 39 deputetë.
E dyta ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 32 deputetë. Kurse Lidhja Demokratike (LDK), e cila gjatë viteve ’90 e edhe deri në 2007-n ka qenë forca kryesore politike në Kosovë, ra në vendin e tretë me 29 deputetë, ani pse ishte në koalicion me AKR-në.
Zgjedhjet 2019
Pas 9 vjetësh Lëvizja Vetëvendosje arriti t’i fitonte zgjedhjet parlamentare. Bashkë me Lidhjen Demokratike, që përbënte opozitën e vitit 2017, i fituan mbi 50 për qind të votave.
Ishte kjo vetëm hera e dytë që ndodhte rotacioni politik me anë të zgjedhjeve. Deri në vitin 2007, të gjitha zgjedhjet i kishte fituar LDK-ja. Pas kësaj periudhe fituese ishte PDK-ja, që deri në vitin 2014 kishte arritur të fitonte duke ndërtuar koalicione herë të vogla e herë të mëdha.
Madje vota e zhvendosi këtë parti në subjekt të tretë. Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) siguroi vetëm 11.47 për qind, ani se ndodhej në koalicion me Partinë Socialdemokrate (PSD), brenda së cilës i bashkuan ish-eksponentë që e braktisën LVV-në.
Pësimin më të madh e përjetuan dy partitë e tjera që ishin në pushtet, Nisma Socialdemokrate (Nisma) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR), që mezi arritën ta kalonin pragun prej 5 për qind.
Por partia fituese nuk arriti të qeverisë më shumë se 51 ditë në koalicion me Lidhjen Demokratike. Pas inicimit të mocionit nga LDK-ja, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, dhe për herë të parë në historinë politike, u formua një qeveri pa fituesin dhe pa shkuar në zgjedhje të reja.
Zgjedhjet e 14 shkurtit janë të tetat që organizohen brenda dy dekadave.