Arbëri

Dhjetëra mijëra viktima shqiptare, 23 vjet pa drejtësi

Të pakta janë viktimat e luftës në Kosovë që kanë gjetur drejtësi. Që nga viti 2000 janë zhvilluar shumë procese gjyqësore. Në fillim të viteve kishte shumë aktakuza për ish-pjesëtarë të ushtrisë serbe që pretendohet se kanë kryer krime në Kosovë. Lëndët ishin zvarritur. Ishin dënuar në disa raste me dënime të buta, e që në rigjykim ishin liruar “për mungesë provash”. Në shumë raste prokurorët ndërkombëtarë nuk ishin ankuar fare në gjykatën e shkallës së dytë për vendimet shfajësuese

Historia e gjykimeve ndaj serbëve, në rastet kur viktima të tyre ishin civilë shqiptarë të Kosovës, gjatë dy dekadave kanë zgjatur shumë. Dënimet ndaj tyre shpesh ishin të ulëta, e disa nga të akuzuarit, pas rigjykimit janë liruar “për mungesë provash”.

Në shumicën e rasteve, trupat gjykues që kanë ndarë drejtësi për serbët e akuzuar, ishin me gjyqtarë ndërkombëtarë. Një pjesë e tyre tash janë pjesë e Gjykatës Speciale.

KOHA ka analizuar disa prej aktgjykimeve.

Mirosllav Vuçkoviq, i akuzuar në vitin 2000 për konfiskim të pronës personale, të gjërave të çmueshme, për djegie të mbi 40 shtëpive familjare në fshat, në njërën prej të cilave ishte edhe një plakë e palëvizshme, në shkallë të parë u dënua me 14 vjet burgim. Pas rigjykimit dënimi iu ul në 12 vjet, për t’u liruar më 2009 “për mungesë provash”.

Veselin Beshoviq, pjesëtar i grupeve të ushtrisë, policisë dhe i formacioneve paramilitare serbe, ishte akuzuar më 2002 për vepra penale të cenimit, rrezikimit të sigurisë, privimit të kundërligjshëm nga liria, shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore, dëmtimit të gjërave të të tjerëve, për veprime të turpshme, sjellje të dhunshme si krim i luftës kundër popullatës civile. Me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë, të 26 qershorit të 2003-s, i pandehuri shpallet fajtor për krim të luftës ndaj popullatës civile, ndërlidhur me torturën, plaçkitjen dhe shpërnguljen e popullatës civile më 14 maj 1999 në fshatrat Zahaq e Qyshk të Komunës së Pejës. Në shkallë të parë, më 2003 ai dënohet me 7 vjet burgim për krime luftës kundër popullatës civile. E në rigjykim, më 2005 prokurori i UNMIK-ut hoqi dorë nga ndjekja penale.

Sasha Gërkoviq, një ndërmarrës privat i hotelerisë e pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale i Serbisë, pati listë të gjatë akuzash, të përmbledhura në aktakuzën e vitit 2000. Ai ngarkohej për rrethimin dhe pengmarrjen e rreth 100 civilëve, ndaj të cilëve ka shtënë pa zgjedhur cak. Atë gjykata e liroi në mungesë provash për vrasjet që i viheshin në barrë. E Prokuroria nuk bëri fare ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Vukmir Cvetkoviq është akuzuar në vitin 2010 për krime lufte në Kosovë. Ai ishte pjesë e MPB-së serbe.

Prokurori ndërkombëtar, Maurizio Salustro, në datën 8 shtator të vitit 2010, e ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurit Cvetkoviq, duke e ngarkuar atë për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullatës civile: se gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në muajin mars të vitit 1999, në Klinë duke vepruar në bashkëpjesëmarrje me pjesëtarë të policisë serbe, në uniformë, ka marrë pjesë në operacionin ushtarak të ndërmarrë me qëllim të shpërnguljes së popullatës civile nga qyteti, e ka urdhëruar popullatën që t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe qytetin, dhe, po ashtu, ka marrë pjesë në djegien e shtëpive të tyre. Është dënuar me 7 vjet.

Zoran Koliq, gardian pranë Burgut të Qarkut në Lipjan gjatë luftës, punëtor i PTK-së para paraburgimit. Në vitin 2011, një prokuror vendor e kishte ngarkuar atë për kryerjen e veprës penale - krim i luftës kundër popullatës civile sipas dy pikave: se në datën 24 maj të vitit 1999, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, në ambientet e burgut në Lipjan, në cilësinë e personit zyrtar, të gardianit të burgut, e ka privuar nga jeta të paraburgosurin Gani Morina, ndaj të cilit e ka zbatuar dhunën, e ka rrahur dhe e ka goditur me shkop të gomës, e ka shutuar dhe e ka goditur me grushte nëpër trup deri sa nuk e ka humbur vetëdijen, dhe i cili, më vonë, të nesërmen, më datën 25 maj të vitit 1999, ka vdekur në burg si edhe se të njëjtën ditë, në cilësi të njëjtë, në mënyrë çnjerëzore e ka trajtuar, duke i shkaktuar dhembje të jashtëzakonshme dhe duke ia rrënuar integritetin trupor dhe shëndetin e të burgosurit, Jakup Rexhepin, në atë mënyrë që e ka goditur me shkop të gomës, e ka shutuar dhe e ka goditur me grushte. Ai është dënuar me 14 vjet burg.

Ka edhe shqiptarë që janë dënuar për krimet serbe në Kosovë.

Sahit Halitaj, i njohur edhe si Salit Halitaj, ishte ndihmës i policisë serbe në Gjakovë. Ish-prokurori ndërkombëtar Charles Hardaëay (EULEX) në 2015 e ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurit Sahitaj për veprën penale krim i luftës kundër popullatës civile. Sipas aktakuzës, ai, në cilësi të ndihmësit të policëve serbë të cilët kanë qenë të përfshirë në Operacionin “Reka“, në datën 27 dhe 28 prill të vitit 1999, i ka ndihmuar dhe asistuar ata në sulmet mbi popullatën civile shqiptare të Rekës, e cila u është ekspozuar vrasjeve, torturave, sjelljeve çnjerëzore, shkaktimit të vuajtjeve të mëdha, zhvendosjes dhe shpërnguljes, zbatimit të masave të frikësimit dhe të terrorit, imponimit të dënimit kolektiv, marrjes dhe vjedhjes së pronës në përmasa të mëdha, e cila nuk është arsyetuar me nevojat ushtarake.

Hetimet penale kundër Sahitajt kanë qenë pjesë e hetimeve, të cilat janë ngritur kundër më shumë të dyshuarve lidhur me masakrën e kryer në Mejë, e të cilët sipas Fondit Humanitar Ndërkombëtar në Kosovë ende nuk janë të qasshëm për organet kosovare të ndjekjes.

Mungesë rezultatesh për gjykim dhe dënimesh të ashpra ndaj serbëve të akuzuar për orkestrimin e vrasjeve, dëbimin, dhunimin dhe maltretimin e shqiptarëve kishte edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Një prej hartuesve kryesorë të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka krahasuar dënimet ndër vite për serbët që u shpallën fajtorë për krime lufte në Kosovë, me vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Salih Mustafës. Bajrami ka renditur dënimet e pesë kriminelëve serbë të luftës të shpallur fajtorë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2009.

“Nikolla Shainoviqin me një dënim të vetëm me 22 vjet burgim; Dragolub Ojdaniqin një dënim të vetëm me 15 vjet burgim; Nebojsha Pavkoviqin me 22 vjet burg; Vlladimir Llazareviqin me 15 vjet burgim; Sreten Llukiqin me 22 vjet burgim. Këta udhëheqës serbë udhëhoqën fushatën e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, që rezultoi me 13 mijë të vrarë, 1.5 milionë të deportuar nga Kosova, 20 mijë gra të dhunuara, varreza masive në Serbi dhe spastrimin etnik, e shkatërrimin e Kosovës në të gjitha sferat”, ka thënë ai.

Të premten, Dhomat e Specializuara e shqiptuan dënimin e parë për krimet e luftës ndaj ish-komandantit të njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa.