Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta të masakrave të ndodhura në Kosovë gjatë luftës - pjesë e një ekspozite, e financuar nga Kuvendi i Kosovës. 

Komuna një ditë më parë ka pezulluar lejen për ekspozitën në shesh, e në mëngjes ka hequr tabelat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, theksoi se vendimi për largimin e ekspozitës erdhi për shkak të pasaktësive që, sipas tij, kanë ndikuar në kujtesën historike dhe kanë shkaktuar reagim publik.

“Ky revokim është bërë për shkak të përmbajtjes së pasaktë e të pavërtetë në disa prej panove që janë shfaqë, në disa prej materialeve të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, rëndojnë shumë të mbijetuarit e masakrave edhe kanë krijuar një irritim të jashtëzakonshëm të sentimentit publik", u shpreh ai. 

Ai shtoi se as Komuna nuk ka kontrolluar materialin para se të shfaqej në shesh, duke thënë se ka qenë i financuar edhe nga institucionet shtetërore, "prandaj s’e kemi pa të arsyeshme me hy në detaje të tilla". 

"Edhe nuk e kemi mendu që dikush prej shoqërisë tonë mundet me shku në nivele të tilla që me dhënë të pavërteta kaq të ndjeshme”, theksoi ai.

Kjo ekspozitë me autor Shkëlzen Gashin ka nxitur reagime publike pasi u identifikuan gabime të shumta për të dhënat e shkruara në të.

Për njërën prej tyre ka reaguar të premten i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili pos që ka shprehur shqetësim për deformim të historisë, e ka kërkuar edhe përfshirjen e Prokurorisë në këtë rast.

“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli, i cili ka ftuar Prokurorinë që ta hetojë këtë çështje, ndërsa organizatorëve u ka bërë thirrje që t’i përmirësojnë të dhënat.

E i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Sadik Zeqiri, e ka quajtur të turpshme dhe shtrembërim të vërtetës ekspozitën.

“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i ka quajtur të papranueshme dhe cenim të drejtpërdrejtë të të vërtetës historike shfaqjen e pasaktësive në ekspozitë. Ai ka bërë thirrje që të tërhiqen menjëherë përmbajtjet e pasakta.

“Ekspozimi në sheshin e Prishtinës i materialeve me pasaktësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike. Në kuadër të një ekspozite publike për masakrat e luftës 1998/99, janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe, në disa raste, edhe në mënyrë të shtrembëruar. Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron.  Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ai në Facebook.

Krahas për Dubravën, ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë, ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë. Në sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë. E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.

E pas reagimeve, Glauk Tahiri, këshilltar politik i kryetares së Kuvendit, ka thënë se Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet iniciativa të shoqërisë civile, artistëve dhe organizatave që kontribuojnë në trajtimin e çështjeve me interes publik. Megjithatë, roli i Kuvendit në këtë kontekst lidhet me mbikëqyrjen e përdorimit të mjeteve publike, përkatësisht nëse fondet janë shpenzuar në përputhje me projektin e miratuar. Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të projekteve të tilla mbeten përgjegjësi e plotë e organizatave dhe/apo individëve që i kanë hartuar ato”, thuhet në përgjigjen e Tahirit.

Në ekspozitën e vendosur në sheshin e Prishtinës për përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme e civilëve që janë vranë nëpër masakra janë cilësuar si persona të armatosur. Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi. Për këto pasaktësi kanë reaguar të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka quajtur ekspozitën cenim të drejtpërdrejt të së vërtetës historike. Pas këtyre reagimeve, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar lejen për ekspozitën dhe të shtunën i largoi nga sheshi. 


AAK: Përgjegjësit për ekspozitën skandaloze të thirren në përgjegjësi

1 muaj më parë / 28 mar 2026 20:30
AAK-ja rinis zgjedhjet e brendshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se përgjegjësit për organizimin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” duhet të thirren në përgjegjësi.

Të shtunën, pas valës së reagimeve e kritikave për pasaktësi, janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat e ekspozitës me të dhëna për masakrat e luftës në Kosovë. Autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, hoqi përgjegjësinë, duke thënë se është shërbyer me të dhëna të disa organizatave, përfshirë ato të Fondit për të Drejtën Humanitare. Por, e përgënjeshtroi Fondi, duke theksuar se Gashi s’diti t’i lexojë as të dhënat. Të shtunën është aktivizuar edhe Prokuroria Speciale.

AAK-ja ka deklaruar se veprimet e tilla s’duhet të tolerohen.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dënon ashpër ekspozitën në Prishtinë e cila me vetëdije të plotë tenton të shtrembërojë të vërtetën për masakrat e kryera nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në luftën e fundit. Përpjekjet për të rishkruar historinë dhe për të relativizuar krimet e kryera ndaj popullit shqiptar janë të papranueshme dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe kujtimit të tyre. Ekspozita të tilla jo vetëm që cenojnë të vërtetën historike, por edhe lëndojnë rëndë ndjenjat e familjeve të të vrarëve dhe gjithë shoqërisë sonë, duke tentuar të zbehin përgjegjësinë për krimet e kryera. Veprime të tilla përbëjnë një fyerje të rëndë për kujtesën kolektive dhe sakrificën e popullit të Kosovës dhe nuk mund të tolerohen në asnjë formë”, thuhet në reagimin e AAK-së.

E ekspozitën e ka mbështetur financiarisht edhe Kuvendi i Kosovës. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se ka qenë vendim “i menduar për të mirë” i Kryesisë së Kuvendit. Ajo megjithatë shtoi se tash duhet të reflektohet dhe të fuqizojnë kriteret e të rritet transparenca dhe llogaridhënia në vendimmarrje.

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se do t’i kërkojë llogari kryetares së Kuvendit për sqarim të plotë se mbi çfarë kriteresh është bazuar vendimi për financimin skandaloz të kësaj ekspozite.

“Përgjegjësit për këtë akt të papranueshëm duhet të thirren në përgjegjësi”, thuhet në reagim.

E në fund, AAK-ja ka thënë se është shqetësuese që Gashi ka qenë këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.

“Në fund, theksojmë se autori i kësaj ekspozite, Shkelzen Gashi është ish-këshilltar në kabinetin e kryeministrit Kurti, çka e bën edhe më shqetësues faktin që narrativa të tilla janë promovuar edhe nga individë që janë pjesë e strukturave të Qeverisë Kurti”, thuhet në reagim të AAK-së.

Gashi ishte shkarkuar nga Kurti sepse pati deklaruar se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte.

LDK: Mbështetja e Kuvendit për ekspozitën skandaloze, dështim serioz institucional

1 muaj më parë / 28 mar 2026 17:36
Ekspozitë me pasaktësi për masakra - Kuvendi e financoi pa e verifikuar

Photo: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar dështim serioz institucional mbështetjen që Kuvendi ia ka dhënë ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të organizuar në sheshin e Prishtinës për disa ditë rresht.

Në një reagim ndaj ekspozitës me pasaktësi për masakrat në Kosovë, që në shumicë civilët e vrarë nga Serbia u paraqitën si njerëz të armatosur, LDK-ja ka thënë se ajo “përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre”. LDK-ja e ka quajtur skandaloze dhe të papranueshme përmbajtjen e kësaj ekspozite.

“Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës”, thuhet në reagim të LDK-së.

LDK-ja ka thënë se mbështetja financiare nga Kuvendi e bën edhe më të rëndë çështjen.

“Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional. Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Kjo parti ka thënë se autoritetet duhet të trajtojnë rastin deri në zbardhjen e plotë të tij teksa ka kërkuar përgjegjësi publike dhe kërkimfalje nga përgjegjës shtetërorë.

“Në të njëjtën kohë, kërkojmë përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin, mbështetjen dhe promovimin e kësaj ekspozite. Kjo përgjegjësi nuk është vetëm administrative; ajo është përgjegjësi ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj qytetarëve të Republikës. Po ashtu, kërkojmë një kërkimfalje të qartë dhe publike të përgjegjësve shtetërorë ndaj familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve, për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe të respektit që u takon atyre. Tema të tilla nuk mund të trajtohen pa standarde të rrepta profesionale, pa verifikim të thelluar dhe pa kontroll institucional. Kujtesa historike nuk është hapësirë improvizimi. Ajo kërkon përgjegjësi, seriozitet dhe përkushtim të vazhdueshëm”, ka shkruar kjo parti në reagimin në Facebook.

LDK-ja ka shtuar se mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave është detyrim themelor shtetëror dhe vijë e kuqe që nuk mund të kalohet.

Kuvendi i Kosovës ishte financues i ekspozitës që tashmë është larguar nga autoritetet komunale. Më herët të shtunën, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se ekspozita u mbështet nga Kryesia e Kuvendit, me qëllim të mirë dhe se në atë kohë të mbështetjes nuk ka pasur indikacione për pasaktësi.

Haxhiu: Kryesia e mbështeti me qëllim të mirë ekspozitën, të reflektojmë

1 muaj më parë / 28 mar 2026 16:32
Albulena Haxhiu - masakrat

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se Kryesia e Kuvendit ka pasur qëllim të mirë kur e ka mbështetur financiarisht ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” e që u shpërfaq se ka pasur të dhëna të pasakta në shumicën e rasteve. Duke shprehur keqardhje për situatën, Haxhiu ka thënë se është momenti që të bëhet reflektim institucional.

Ajo tutje ka thënë se të gjithë anëtarët e Kryesisë, pos përfaqësuesit e Listës Serbe, e kanë votuar mbështetjen e ekspozitës me autor Shkëlzen Gashin.

Por të premten e të shtunën u shpërfaq se të dhënat në tabelat për masakrat kanë qenë në shumë raste të pasakta. Aty për qindra njerëz u tha se ishin të armatosur dhe nuk u përfshinë në listën e civilëve të vrarë. Tabelat u bazuan në librin me të njëjtin emër të Gashit. Organizatat që organizuan ekspozitën thanë se të dhënat janë mbështetur në librin e organizatës Humanitarian Law Center të Natasha Kandiqit. Por Fondi për të Drejtën Humanitare mohoi gjithçka dhe cilësoi se ekspozita ka mungesë elementare të njohurive.

Komuna e Prishtinës veçse e ka hequr ekspozitën, ndërsa në opinion u kërkua llogari edhe nga Kuvendi që e financoi ekspozitën. Pas kësaj, Haxhiu ka thënë se kur ka vepruar Kryesia nuk ka pasur indikacione për pasaktësi.

“Si Kryetare e Kuvendit, ndjej obligim institucional dhe moral të shpreh keqardhjen time për situatën e krijuar.  Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të paraqitur në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi. Njëkohësisht, duhet theksuar se verifikimi i të dhënave nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të Kryesisë. Mbështetja për këtë ekspozitë është dhënë me qëllim të mirë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haxhiu ka thënë se tani Kuvendi duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit për këso çështje.

“Megjithatë, ky rast përbën një moment të rëndësishëm reflektimi institucional. Në këtë drejtim, do të ndërmarrim hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit, përmes themelimit të komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimit të Rregullores ekzistuese, me qëllim fuqizimin e kritereve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje”, ka shkruar tutje ajo.

PDK-ja kërkon llogaridhënie për financimin e ekspozitës së masakrave

1 muaj më parë / 28 mar 2026 15:43
Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar llogaridhënie për financimin e ekspozitës së disa masakrave të paraqitur në sheshin qendror të Prishtinës – përmbajtjet e së cilës janë identifikuar si të pasakta. 

PDK-ja e ka konsideruar të papranueshme dhe skandaloze ekspozitën duke thënë se e shtrembëron të vërtetën historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

“Çdo përpjekje për t'i relativizuar krimet e kryera në Kosovë, për t'i manipuluar faktet apo për ta deformuar të vërtetën, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike”, njoftoi PKD.

PDK-ja ka paraqitur disa kërkesa: 

* Sqarim të plotë publik mbi mënyrën se si është përgatitur dhe miratuar kjo ekspozitë. 

* Identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj. 

* Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës.

* Hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik.

 

Prokuroria Speciale përfshihet në rastin e ekspozitës së masakrave

1 muaj më parë / 28 mar 2026 14:54
psr

Prokuroria Speciale po e përcjell rastin me ekspozitën e vendosur në sheshin e Prishtinës për masakra në Kosovë dhe të dhënat e pasakta të shkruara në tabelat e vendosura aty. 

Prokuroria ka njoftuar se çështja do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse ka element të përgjegjësisë penale. 

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke percjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë. Në përputhje me kompetencat ligjore dhe me mandatin e Prokurorit te Shtetit, kjo çështje do t'i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftim.

 

OVL-UÇK: Ekspozita në shesh fyerje për gjakun e derdhur, financimi i saj nga Kuvendi është skandal

1 muaj më parë / 28 mar 2026 12:04
ekspozita

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me ekspozitën në sheshin e Prishtinës për masakrat e ndodhura ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999. 

Kjo organizatë ka deklaruar se ky instalacion shtrembëron të vërtetën e luftës, derisa e ka cilësuar “akt të poshtër moral”. 

OVL ka thënë se financimi i ekspozitës nga Kuvendi, ku shfaqen të dhëna të pasakta për masakrat, është skandal.

“Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si "persona të armatosur", pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së. 

Sipas OVL-së, përgjegjësia për vendosjen e kësaj ekspozite bie drejtpërdrejt mbi autorët e saj dhe mbështetësit e tyre politikë, derisa ka kërkuar distancim zyrtar dhe llogaridhënie institucionale. 

“Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë”, thuhet tutje. 

Tabelat me përmbajtjet për masakrat janë larguar nga sheshi të shtunën në mëngjes nga Komuna e Prishtinës. Ekspozita ndër tjerash ishte financuar nga Kuvendi i Republikës. 

Rama kërkon përgjegjësi politike e institucionale nga Kuvendi për financimin e ekspozitës në shesh

1 muaj më parë / 28 mar 2026 10:47
perparim rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për financimin e ekspozitës për masakrat në Kosovës e vendosur në formë tabelash në sheshin qendror të Prishtinës. 

Rama e ka cilësuar skandaloze përmbajtjen që është shkruar në tabela për masakrat e kryera ndaj shqiptarëve në vitet 1998-1999. Për shumicën e përmbajtjeve në to janë gjetur pasaktësi në shifra dhe fjalë. 

“Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze që përdhos dinjitetin e qytetarëve dhe fyen kujtesën kolektive të popullit tonë”, ka shkruar Rama në Facebook pas largimit të tabelave të ekspozitës nga sheshi.

Të premten, Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën. 

Krahas për Dubravën, ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë, ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë. Në sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë. E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.

Kjo ekspozitë është realizuar mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi.

Glauk Tahiri, këshilltar politik i kryetares së Kuvendit, ka thënë se Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë apo të verifikojë saktësinë e përmbajtjes së materialeve të zhvilluara nga organizatat joqeveritare.

Ndërkaq në një sqarim të dytë të premten, Kuvendi i Kosovës ka thënë se mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik dhe se këtë e bën pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.