Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hetemi: Jemi vonuar me dokumentimin e krimeve të luftës

Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, i themeluar së fundmi, ka për qëllim mbledhjen, faktimin dhe dokumentimin e krimeve të ndodhura, ka thënë drejtori i këtij institucioni, Atdhe Hetemi.

Ai ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se Kosova është vonuar në dokumentimin e luftës, e sipas tij, sivjet ka buxhet që të rekrutohen 25 persona për t’u marrë me mbledhjen e fakteve.

Sipas tij, Instituti synon që të verifikojë secilin material që ka të bëjë me luftën.

“Kjo punë merr kohë, duke pasur parasysh që jemi edhe vonë, por (dokumentimi) është proces i zgjatur që nëse arrijmë ta kurorëzojmë me sukses, do të ishte pozitive...Instituti është i Republikës së Kosovës dhe i atyre që duan të kontribuojnë në zbardhjen dhe dokumentimin e krimeve. Ai do të shërbejë si pikë grumbullimi për mbledhjen e fakteve e si pikë që mund ta japim kontributin drejt dokumentimit të krimeve”, ka thënë Hetemi.

Sipas tij, Instituti është funksionalizuar në mënyrë që mediat dhe shoqëria civile të mund ta furnizojë me çfarëdo fakti që lidhet me periudhën e krimeve të luftës.

Ai ka shtuar se dokumentimi i krimeve është domosdoshmëri e Kosovës.

“Prioriteti i parë i punës do të jetë funksionalizimi i plotë i Institutit. Po punojmë në dizajnimin strikt të verifikimit e dokumentimit të materialeve. Kjo punë është në proces, po bëjmë edhe plan të detajuar për departamentin e dokumentimit. Kemi zhvilluar edhe takime me atë që në këtë periudhë kur s’ka pasur institut shtetëror, e kanë bërë një gjë të tillë, qoftë të mbështetur nga donatorë e qoftë nga individë”, ka shtuar Hetemi.

Artikuj të ngjashëm