Arbëri

Heldt: Kosova ka potencial të madh në fushën e teknologjisë

Kosova është duke e ngritur industrinë e informacionit dhe komunikimit, e cila mundëson vende pune të qëndrueshme. Shumica e kompanive të ICT kanë klientë ndërkombëtarë me të cilët konkurrojnë në çmime dhe kualitet, dhe së fundi ICT kosovare po krijojnë aplikacione për telefona të mençur dhe tabletë.

Kështu u tha në konferencën dyditore të mbajtur nga Kosict në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt tha se Kosova ka potencial të madh për të arritur në fushën e teknologjisë, por fatkeqësisht nuk vlerësohet nga jashtë.

“Ne jemi të bashkuar në ketë ndërmarrje për të sjellë IT kosovare, e cila është madhështore edhe për ndërkombëtarët. Gjithmonë kam besuar se ky vend ka potencial të madh dhe shumë shpesh nuk vlerësohet nga jashtë, sepse perceptimi për Kosovën është siç është jo vetëm nga ana politike, por edhe për sipërmarrjen, një perceptim i cili ndryshon menjëherë pas 24 orëve të para gjatë qëndrimit këtu. Shpresoj se qeveria e re do të ofrojë një strukturë të shkojë edhe më lart”, tha ambasadori Heldt, përcjell ksp.

Ai përgëzoi Shoqatën Kosovare të ITC-s, pasi sipas tij kanë funksionuar si një sistem i integruar, me rreth 185 anëtarë të regjistruar, të cilët po bëjnë një punë të mirë.

Ndërsa Matthew Cullinane nga USAID tha se Kosova është duke e ngritur industrinë e ITC-s gjë e cila mundëson vende pune të qëndrueshme.

“Gjërat më të rëndësishme janë mësimi, relacionet dhe bërja e marrëveshjeve . Kosova është duke e ngritur industrinë e ICT , një mundësi e shkëlqyeshme, e cila mundëson vende pune të qëndrueshme, rrit eksportin dhe e shtyn zhvillimin ekonomik të Kosovës, të cilat janë prioritet i SHBA-së për Kosovën”, u shpreh Cullinane.