Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hehir: Është legjitime që Kosova t’i thotë jo Quint-it për zgjedhjet serbe

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, ka folur në Interaktiv të KTV-së për reagimin ndërkombëtar për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se forma në të cilën ka evoluuar Kosova në 22 vitet e fundit e ka dëshmuar se mënyra e vjetër e të vepruarit nuk ka funksionuar mirë.

Ai ka thënë se kështu e sheh edhe populli i Kosovës, e që sipas tij, kjo është më e rëndësishmja, ngase thotë se kanë vendosur ta zgjedhin me shumicë një qeveri të re me agjendë të re.

Hehir ka shtuar se vetë fakti se e kanë bëtë këtë zgjedhje dhe se përpiqen për t’i bërë gjërat më ndryshe bën që njerëzit që janë mësuar të funksionojnë si në të kaluarën do të ndihen të hidhëruar duke e parë se pushteti u ikën duarve, porse kjo gjë është pritur.

“Nuk e besoj se populli i Kosovës ka dashur të bëhet i pavarur ashtu që italianët a britanikët t’i tregojnë se si duhet sjellë, apo edhe amerikanët. E gjithë esenca e të qenit i pavarur është se ti vet i merr vendimet. Sikurse secili shtet, Kosova nuk ekziston në hava, dhe ka nevojë të ketë miq të fuqishëm, gjë që është shumë e rëndësishme, porse kur miqtë tuaj nuk i keni miq për shkak se u përmbaheni udhëzimeve që jua japin. Dhe në këtë kontekst, duke e parë trysninë të cilën e ushtrojnë shtetet e QUINT-it dhe shtetet e tjera ndaj Kosovës, e besoj se është shumë legjitime që Kosova t’ua thotë: ju faleminderit për këshillën, porse nuk do të shkojmë atij shtegu”, ka thënë ai

Sipas tij, në këtë çështje specifike, është shumë më tepër sesa lejimi ose jo i votimit. Ai thotë se ka të bëjë me atë që Qeveria e udhëhequr nga Kurti kërkon nga Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që ta marrë kërkesën zyrtarisht që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Edhe Hehir: BE-ja të ketë qasje më të ashpër ndaj Serbisë Arbëri Hehir: BE-ja të ketë qasje më të ashpër ndaj Serbisë

Hehir ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e shesh problem parimin, porse do që kjo t’i kërkohet zyrtarisht një shteti sovran. Ai shton se kjo është një e drejtë që të gjitha shtetet, përkatësisht është një respekt që të gjitha shtetet do të prisnin ta kenë në këtë kontekst specifik.

“Krejt çfarë kërkon Kosova është që të trajtohet si shtet. Pra krejt shtetet e QUINT-it e kanë njohur Kosovën, dhe do të duhej të bënin më shumë sesa vetëm ta hapin ambasadën në Prishtinë dhe ta valojnë flamurin diku në qytet dhe t’i ledhatojnë kosovarët në kokë tek u thonë: faleminderit që po bëni atë që ua themi ta bëni. Duhet ta trajtojnë Kosovën me respekt dhe duhet t’i inkurajojnë shtetet e tjera ta bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.