Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri: Kurti para popullit s’ka bërë asgjë, e para deputetëve “zbulon tradhtarët”

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, deklaroi se kryeministri Albin Kurti ishte përpjekur që marrëveshjen e Ohrit ta kamuflonte si ndryshim të marrëveshjes së periudhës 2013-2015. Ai shkroi në Facebook të dielën se Kurti para qytetarëve s’ka ndërmarrë asgjë, ndërsa në Kuvend, sipas Hazirit, po i “zbulon tradhtarët”.

Ai shtoi se një pjesë e Qeverisë deklaron se s’ka Asociacion, e një pjesë “thotë ka”.

“Në takimin e 2 majit do të diskutohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që Kurti e ka quajtur ‘Zajednicë’. Madje për Asociacionin, kryeministrit Kurti do t’i paraqitet draft-statuti i këtij mekanizmi pa e takuar grupin punues të Kosovës, pa e ditur përbërjen sipas tyre të këtij grupi punues dhe pa e ditur se çka kanë punuar, dhe në çfarë niveli ka mbërri niveli i këtij draft-statuti. Me marrëveshjen e Ohrit, Kurti u mundua ta kamuflojë si ndryshim i marrëveshjes 2013-2015. Gjysma e Qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka. Me ndërmjetësin ndërkombëtar ka bërë marrëveshje, para deputetëve zbulon ‘tradhtarët’ e para popullit nuk ka bërë asgjë”, shkroi Haziri.

Më 2 maj, në Bruksel, Kosova dhe Serbia do t’i vazhdojnë negociatat për normalizim të raporteve.

Nga Bashkimi Evropian është thënë se fokus i takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë prezantimi i draft-statutit të Asociacionit.