Kurti: Përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit e tejkalon një parti politike
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit e tejkalon një parti politike. Ai ka theksuar se secila parti gjendet para përgjegjësisë për formimin e institucioneve të reja.
Kurti e ka mirëpritur caktimin e datës 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive. Ai përmendi takimet me krerët e LDK-së dhe PDK-së për formimin e institucioneve, duke shtuar se “veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”.
“Partitë politike secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes. Kemi dy javë më së shumti deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas zgjedhja e presidentit ose presidentes. Për legjislaturën e re siç e dimë nevojitet shumica e thjeshtë, ndërsa për presidentin ose presidenten, në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Kushtetueses kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose saj e tejkalon një parti politike”, ka deklaruar Kurti.
Cakolli: Caktimi i 6 gushtit për seancën konstituive është institucionalisht i papërgjegjshëm
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e ka quajtur të vonuar mbajtjen e seancës konstituive më 6 gusht. Ai ka thënë se caktimi i kësaj date të seancës është edhe “institucionalisht i papërgjegjshëm”.
Cakolli ka sqaruar se 6 gushti paraqet problem edhe për afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
“Pjesa më problematike e caktimit të seancës më 6 gusht lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar tutje se më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit, e nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së Presidentit tashmë do të ketë përfunduar.
“Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të Presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për Kryeministër”, ka deklaruar Cakolli.
Seanca konstituive mbahet më 6 gusht
Seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 6 gusht në orën 10:00.
Për këtë ka njoftuar ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, në konferencën për media të mbajtur të premten.
Seanca pritet të mbahet një ditë para skadimit të afatit kushtetues për mbajtjen e seancës, që është 7 gushti.
Haxhiu ka thënë se meqë afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit fillojnë të rrjedhin vetëm pas konstituimit të Kuvendit, ka vendosur që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog.
Ajo ka thënë se ka vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë javëve të fundit.
“Kam mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurti, dhe kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Dhe siç e dini, deri tani janë mbajtur dy takime: një takim me PDK-në, një takim me LDK-në, ndërsa Aleanca nuk i është përgjigjur ftesës për takim. Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politikanësh për çështjen e Presidentit, kam vendosur që, pra menjëherë pas certifikimit aso kohe, që të mos e thërras me nguti seancën konstitutive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’ju krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi”, ka theksuar Haxhiu.

Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit. E para kësaj date, zyrtarë të Lidhjes Demokratike kanë thënë se do ta mbajnë Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku do të votohet për shkarkimin ose jo të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili paralelisht iniciativës kundër tij, shprehu gatishmëri për marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, për konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e parakohshme të qershorit.
Afati i 7 gushtit për konstituimin e Kuvendit buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.
Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve”.
Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultatit. E rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit është bërë më 8 korrik.
“Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re”, thuhet në aktgjykim. “Kërkesa nga paragrafi 1 i nenit 66 të Kushtetutës, që Kuvendi të mbajë Seancën Konstituive brenda tridhjetë (30) ditësh nuk do të thotë vetëm që deputetët e zgjedhur duhet të mblidhen fizikisht në sallë. Kuptimi i kësaj norme duhet të jetë substancial dhe funksional, duke nënkuptuar që brenda këtij afati duhet të realizohen të gjitha veprimet kushtetuese që rezultojnë në konstituimin e Kuvendit. Këto përfshijnë: (i) verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, (ii) dhënien e betimit nga ana e tyre (iii) zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe (iv) zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Thënë këtë, Gjykata rithekson që pa përfundimin me sukses të këtyre veprimeve kushtetuese, Kuvendi nuk mund të konsiderohet juridikisht i konstituuar dhe, rrjedhimisht, nuk mund të ushtrojë asnjë nga funksionet që Kushtetuta i ka caktuar”.
Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 u patën certifikuar më 27 mars, seanca për konstituim nisi më 15 prill – e kryetari dhe katër nënkryetarë u zgjodhën tek më 26 gusht – 152 ditë nga certifikimi.
Por, gjatë kësaj periudhe Kushtetuesja kishte shpallur dy aktgjykime ku pjesën më të madhe të seancave e kishte shpallur të pavlefshme dhe sipas Kushtetueses afati 30- ditor nuk ishte tejkaluar.