Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu për rastin Dehari: Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar edhe njëherë punën që ka bërë Prokuroria e Kosovës në zbardhjen e rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në prag të gjashtëvjetorit të vdekjes së tij.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook të premten, ka shkruar se rrethanat për vdekjen e Deharit janë enigmë për shkak të mosveprimit të Prokurorisë.

“Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakonstestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes. Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka përmendur edhe, siç i ka cilësuar ajo, shkeljet e rënda e të shumta procedurale në këtë rast. Ajo thotë se këto shkelje i patën dërguar te prokurori i lëndës, por sipas saj, nuk kanë marrë asnjë përgjigje për epilogun e tyre.

Ministrja e Drejtësisë ka treguar edhe atë çfarë ka bërë ajo për këtë rast prejse ka marrë drejtimin e këtij dikasteri. Përmend pezullimin e disa zyrtarëve.

"Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç'rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK)”, thuhet në shkrimin e saj.

Ajo ka bërë thirrje që Prokuroria të vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për të përshpejtuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Edhe Haxhiu dëshmon në rastin “Dehari”: Prokurori të mos e pengojë drejtësinë LAJMET E MBRËMJES Haxhiu dëshmon në rastin “Dehari”: Prokurori të mos e pengojë drejtësinë

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.