Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Kuvendi i Kosovës ka thirrur seancë të jashtëzakonshme ku është diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. 

Në seancë nuk morën pjesë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. 

Gjatë seancës kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, u bëri thirrje partive opozitare të ofrojnë tri emra për një president unifikues, e dy kandidatët e propozuar nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku janë tërhequr nga kandidatura për president. 

 

Konjufca e Mulhaxha-Kollçaku tërheqin kandidaturat për president

1 muaj më parë / 27 pri 2026 19:11
konjufca

Photo: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se tërhiqet nga kandidatura për president.

“Tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Pas tij fjalën e mori deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku e cila po ashtu deklaroi se e tërheq kandidaturën e saj për presidente.

“Edhe unë tërhiqem”, deklaroi Mulhaxha-Kollçaku.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se do të përpjekën deri në fund që të shmangën zgjedhjet e reja.

Ajo pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme për debat për presidenten, ku nuk mori pjesë opozita, derisa është pyetur nëse sonte do të ketë të re.

“Do të bëjmë përpjekjet tona deri në fund që të shmangim zgjedhjet e reja. E patë që dy kandidaturat e fundit edhe zëvendëskryeministri Konjufca edhe deputetja, doktoresha Fatmire Mulhaxha Kollçaku tashmë i tërhoqën kandidaturat e tyre dhe po bëjmë edhe një hap tjetër përpara, tejet të rëndësishëm në mënyrë që të shmangim të zgjedhjeve të reja. Deri në përfundim të afatit do të angazhohemi dhe shpresojmë që vendi të bëhet me president brenda afatit kushtetues”, deklaroi ajo. 

Konjufca: Opozita e din saktë që nuk mund t’i marrë 50%

1 muaj më parë / 27 pri 2026 19:07
Glauk Konjufca

Photo: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se përmes çështjes së presidentit, opozita dëshiron ta rrëzojë Qeverinë.

Konjufca deklaroi se partitë opozitare e dijnë saktë se nuk mund ta përmbysin rezultatin e zgjedhjeve të 28-dhjetorit dhe nuk mund t’i marrin 50% në zgjedhjet e parakohshme. Konjufca theksoi po ashtu se jemi në situatën kur opozita mund të ketë president por nuk dëshiron të ketë president.

“Kjo Qeveri po synon të rrëzohet me president. Më shumë ka pasur kuptim vitin e kaluar çka ka ndodhur sesa këtë vit. Tash jemi në situatën kur munden të kenë president dhe nuk duan të kenë president. Për ta zbërthyer qëllimin e tyre pyetjet janë këto: A thua të gjitha këto parti politike presin që nesër kur të mbahen zgjedhjet LVV-ja t’i ketë 13% a 17% e këta 50%. Unë për vete i njoh personalisht dhe nuk besoj që ata besojnë në këtë. A kanë sondazhe dhe të dhëna më objektive se çka ndodhë, sigurisht se kanë të dhëna dhe e dijnë saktë se çka ndodhë. Atëherë si ka mundësi dhe këtë pyetje besoj e kanë i gjithë populli që si ka mundësi?”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij arsyeja e vetme është hilizmi politik pasojat e të cilit për shtetin e Kosovës nuk mund t’i dijmë saktë.

Rexhepi-deputetëve: T’i dërgojmë mesazh të qartë rajonit se Kosova është shtet që di t’i kalojë dallimet politike

1 muaj më parë / 27 pri 2026 18:42
Emilia Rexhepi

Photo: Driton Paçarada

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të lënë dallimet dhe ta zgjedhin presidentin. Ai ka thënë se po rrezikohet futja në një cikël të mosstabilitetit të madh. 

“T’i dërgojmë mesazh të qartë rajonit se Kosova është shtet që di t’i kalojë dallimet politike kur është më e nevojshme, që institucionet e saja janë stabile dhe se ka përgjegjësi përtej interesave politike”, tha Rexhepi në seancën e Kuvendit. 

 

Kurti - opozitës: Aman na ndihmoni të mos i mbajmë tri pozita, boll na dalin dy

1 muaj më parë / 27 pri 2026 18:28
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë bojkot të opozitës në lidhur me zgjedhjen e presidentit mund ta kuptojë vetëm si mosrespektim të verdiktit të popullit. 

Kurti ka thënë se arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat, nuk qëndron. Thotë se është ofruar pozita e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual. 

Ai ka thënë se aktualisht ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës është Albulena Haxhiu, dhe Vetëvendosja i ka të tri pozitat. Kurti ka thënë se një situatë e ngjashme do të vazhdojë edhe mëtutje, nëse opozita s’pranon ofertën.

“Aman na ndihmoni të mos i kemi tri pozitat. Po kërkojmë mbështetjen, ndihmën e opozitës. Boll na dalin dy pozita. Si duam tri. Të dashur deputetë të opozitës ejani na ndihmoni të mos i kemi tri pozita,  se tash i kemi tre pozita”, tha Kurti.  

Kurti: Koalicione paszgjedhore të padeklaruara janë arsye e kësaj bllokade

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit ka thënë se nuk qëndrojnë deklarimet se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike.

Sipas Kurtit, ka koalicione paszgjedhore të cilat nuk po deklarohen por që është arsye e madhe e kësaj bllokade. Kurti deklaroi se qëllim kanë ta dëmtojnë LVV-në.

“Vitin e kaluar Nisma me tre deputetë sillej sikur t’i kishte 48. Ndërkohë LDK-ja përbuzi çdo ofertë që ia bëmë duke refuzuar edhe takimet. Ata që sot thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike dhe nuk mund të qeverisë në koalicion nuk e thonë të vërtetën. Koalicionet parazgjedhore janë formë e ndershme e marrëveshjes politike sepse qytetarët e dinë paraprakisht se kush do të qeverisë bashkë. Por ne kemi koalicione paszgjedhore që nuk po lidhen por që po dihen se janë koalicione paszgjedhore dhe këtu është një pjesë e madhe e arsyes së bllokadës. Pikërisht për shkak se ka preferenca për koalicione të padeklaruara. Kjo është kronologjia e fakteve, të tjerat janë supozime e manipulime që njëjtë si vitin e kaluar, qëllim e kanë dëmtimin sado pak të subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje", deklaroi Kurti mes tjerash.
 

Kurti: Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike

1 muaj më parë / 27 pri 2026 18:04
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar rreth çështjes së presidentit, ka thënë se me mos zgjedhjen e presidentit vendi po shkon drejt zgjedhjeve të pesta me radhë.

Kryeministri Kurti pa praninë e opozitës ka folur për refuzimin e tyre për një marrëveshje për këtë çështje. Kurti ka deklaruar po ashtu se kompromisi duhet të jetë demokratik dhe jo Pazar që lidhet për të rehatuar figura politike.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por, kompromisi në një demokraci duhet të jetë demokratik. Kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike. Kompromisi i vërtetë, ai që iu shërben qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedh nga angazhimi publik dhe nga fakti që je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë po ashtu se opozita kompromisin në vazhdimësi e ka parë si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve.

“Rezultati i zgjedhjeve nuk mjafton vetëm të pranohet por duhet edhe të respektohet. Respektimi i rezultatit nuk është nënshtrim. Nëse ka një nënshtrim është ai ndaj verdiktit të qytetarëve të cilët me vonë kanë përcaktuar peshën e secilit subjekt politik duke përcaktuar edhe sjelljen parlamentare. Opozita kompromisin po e kupton si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve”, ka thënë Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Kurti ka thënë se askund në Evropë e ndoshta edhe në botë nuk ka që subjekti fitues i zgjedhjeve, që ka marrë 51.1 për qind, u thotë opozitës sjellni tre emra e u mbushim aplikacionit e ju garantojmë se një nga ta është fitues. 

“Kanë mundur të sjellin tre emra...Asnjë emër nuk e sollën. Në takime kurrë s’kanë përmendur asnjë emër. Duhej të përmendja emra me cyt imagjinatën që biseda të bëhej konkrete. Unë përmendja emra në takime, ata s’kanë përmendur. Kam përmendur emra edhe të atyre partive. Më shumë se kaq s’mundem”, tha Kurti. 

Haxhiu: Deputetët duhet të marrin pjesë në seancë, Kushtetuesja e tha qartë

1 muaj më parë / 27 pri 2026 17:53
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja e Kosovës dhe u.d. e presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se arsyeja pse nuk ka vazhduar seancën e nisur më 5 mars për zgjedhjen e presidentit është se ka ditur paraprakisht qëndrimet politike të subjekteve opozitare lidhur me bojkotin e seancës për zgjedhjen e presidentit. 

Haxhiu ka thënë se bazuar në aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese deputetët e kanë obligim të marrin pjesë në seanca, me përjashtim të rasteve kur kanë leje për paraprake për mungesë. 

“Mungesa e opozitës është veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese, e shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. S’jam për t’i gjykuar motivet politike të askujt, nuk është në rolin tim si kryetare e Kuvendit ta bëjë këtë. Por, është detyrim i imi ta mbrojë funksionimin kushtetues të këtij institucioni, sepse aktgjykimi i Kushtetueses ka sqaruar çështjen në mënyrë përfundimtare – deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm e të votojnë në seancë”, tha Haxhiu. 
E shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se është konsideruar e nevojshme të zhvillohet debati në Kuvend lidhur me çështjen e presidentit. Ajo ka thënë se nuk janë pranuar as emra e as nënshkrime nga partitë opozitare.  
 

Nagavci: VV-ja i tërheqë kandidaturat nëse PDK e LDK propozojnë tre emra për president jashtë skenës politike

1 muaj më parë / 27 pri 2026 17:27
Arbërie Nagavci

Photo: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka ftuar partitë politike të marrin pjesë në seancën e Kuvendit për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit. 

Nagavci ka thënë se Kuvendi është vendi ku duhet diskutuar. Ajo ka thënë se Vetëvendosje është e gatshme të tërheqë kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut, nëse PDK-ja e LDK-ja ofrojnë tre emra për presidentë që janë jashtë skenës aktuale politike dhe janë unifikues. 

E pyetur nëse Vetëvendosje është e gatshme t’i ofrojë nënshkrimet për ish-presidenten Vjosa Osmani, Nagavci para seancës së Kuvendit tha se deri më tash asnjë parti opozitare s’ka deponuar nënshkrimet për asnjë kandidaturë. 

“Përtej deklaratave e deklarimit se i kemi 15 nënshkrime, ato duhet të shihen. Unë kam të gatshme nënshkrimet edhe për seancë edhe për president. S’mjaftojnë deklaratat. Kemi pritur gjithë fundjavën, e pritëm edhe sot paradite të ofrohen nënshkrimet dhe t’i plotësojmë me nënshkrimet tona. Të ofrohen 15 nënshkrime nga LDK e 22 nga PDK-ja e të japim nënshkrimet tona. Nuk ka hapa serioz”, tha Nagavci. 

Ajo tha se zgjedhjet e reja s’i nevojiten askujt dhe duhet shmangur.


 

PDK-ja nuk merr pjesë në seancën ku diskutohet për çështjen e presidentit

1 muaj më parë / 27 pri 2026 17:02
Bedri Hamza

Bedri Hamza

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës ku pritet të diskutohet çështja e zgjedhjes së presidentit. Ai ka përsëritur se për PDK-në kjo çështje është e mbyllur.

I pyetur nëse votojnë për një kandidat nga familja Jashari, Hamza ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim për ndonjë kandidat nga kjo familje, mirëpo për Vjosa Osmanin, ai nuk ka shprehur mbështetje.

Hamza deklaroi para mediave se Osmani mund të zgjidhet presidente edhe për një mandat tjetër edhe pa votat e PDK-së.

“Nuk mund të flasim mbi bazën e situatava hipotetike. E ruajmë vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për familjen Jashari. E kemi dhënë qëndrimin tonë dhe qëndrimi ynë nuk ndryshon. Zyrtarisht i kemi vetëm dy kandidatë. Kemi thënë që fillimisht të ketë marrëveshje mbi parime të caktuara dhe pastaj të vijmë dhe t’i propozojmë emrat. Emrat nuk kemi thënë që duhet të jenë nga PDK-ja. Po që se LDK-ja e sjell Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, mund të zgjidhet me votat me Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ndoshta edhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.

AAK-ja s’merr pjesë në seancën për diskutim për presidentin

1 muaj më parë / 27 pri 2026 17:02
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët e partisë së tij s’do të marrin pjesë në seancën e ftuar nga ora 17:00 për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit. 

“Kosova i kishte tre muaj me diskutu seriozisht zgjedhjen e presidentit, që nga themelimi i qeverisë. E kemi thënë nga dita e parë, diskutimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë spektakël politik, performancë publike, me qëllim të vetëm me ardhur në këtë situatë...AAK-ja s’ka qenë e ftuar për diskutime. S’kemi marrë pjesë, e rrjedhimisht s’marrim pjesë në një diskutim që prapë është një performancë publike. Kësaj radhe po shihet është performancë publike, diskutim me fol vet me veti. Kurti në vend se të flasë në organe të partisë, do që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm”, ka thënë Tahiri. 

Ai tha se është vazhdim i “spektaklit publik, që fatkeqësisht po e çon vendin në zgjedhje”. 
 

Abdixhiku: S’marrim pjesë në seancën për presidentin, show propagandues i VV-së

1 muaj më parë / 27 pri 2026 15:16
Lumir Abdixhiku

Foto: Arkiv

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme për diskutime lidhur me zgjedhjen e presidentin e cila është thirrur  për orën 17:00.

Ai ka thënë se kjo seancë është “show propagandues i VV-së”.

“Nuk marrim pjesë në seancë”, ka thënë kreu i LDK-së para mediave.

Nesër përfundon afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërkohë që partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president.

Përplasje në Kuvend rreth seancës për presidentin

1 muaj më parë / 27 pri 2026 15:10
Dhjetë ligje në një seancë

Foto: Ilustrim

Photo: Driton Paçarada

Pushteti dhe opozita kanë polemizuar lidhur me seancën e jashtëzakonshme për diskutime për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e cila është caktuar të mbahet sot, në orën 17:00, raporton EO. 
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka kërkuar që deputetët të jenë të pranishëm në seancën që pritet të nisë në ora 17:00.

“Është e rëndësishme që të jeni të pranishëm në seancë dhe deri atëherë të shpresojmë që të kemi emra dhe konsensus për president”, ka thënë Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se mungesa e marrëveshjes politike po e çon vendin në një situatë të re.

“Unë nuk e di ‘zanzibarin’, por e di që Kosova nuk ka pasur kurrë krizë të tillë për zgjedhjen e presidentit. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së konsensusit”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë deputetja e AAK-së Time Kadrijaj ka thënë se në Kuvend nuk diskutohet për zgjedhjen e presidentit, por se sillen emra dhe votohen. 

“Si është e mundur të thirret një seancë në orën 17 dhe pikë e rendit të ditës është të diskutohet për presidentin. Në parlament nuk diskutohet për presidentit por sillen emrat dhe votohen”, është shprehur Kadijaj.