Arbëri

Haxhiu me homologun danez vizitojnë burgun në Gjilan

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bashkë me homologun e saj nga Mbretëria e Danimarkës, Nick Hakerup, dhe me ekipet e tyre kanë vizituar ambientet e Institucionit Korrektues në Gjilan.

Në këtë vizitë, ministrat e drejtësisë të të dyja vendeve u njoftuan me gjendjen e infrastrukturës së përgjithshme të këtij institucioni, si dhe shërbimet që ofrohen aty.

Ambientet e banimit ishin një nga hapësirat që u vizituan nga dy delegacionet, duke përfshirë edhe dhomat e të paraburgosurve dhe të dënuarve, duke parë nga afër standardet dhe kushtet që ofrohen në këtë shërbim korrektues.

Ministri Hakerup falënderoi Haxhiun për mikpritjen dhe mundësinë për të parë për së afërmi ambientet e burgut, ku pritet të vendosen të dënuarit nga Mbretëria e Danimarkës, sipas pajtimit të të dy vendeve.

Vizita e së martës vjen pas nënshkrimit të dy letër-qëllimeve, njëri që ka të bëjë me vënien në shfrytëzim të një institucioni korrektues dhe tjetri për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunim politik.

Ndërsa, një ditë më parë, të dyja vendet kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe për bashkëpunimin politik.

Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe nga Flemming Moller Morteensen, Ministër i Bashkëpunimit Zhvillimor në Danimarkë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo marrëveshje hap rrugën për një bashkëpunim më të thellë ekonomik dhe në fushën e energjisë për dy shtetet.