Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: Kemi kërkuar që paraburgimi të bëhet i obligueshëm në rastet e dhunimit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se tashmë i kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës ndryshimet e kërkuara ligjore lidhur me rastet e veprave penale të dhunimit.

Haxhiu ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se njëra prej ndryshimeve që janë adresuar obligon gjyqtarët që t’i dërgojnë në paraburgim të dyshuarit për dhunë në familje.

“Së fundmi ne kemi dërguar ndryshimet në Kuvendin e Kosovës në rastet kur shpallet një person fajtor për veprën penale të dhunimit, dhunës fizike, psikike por edhe materiale si dhe dhunën seksuale. Njëra prej ndryshimeve që kemi adresuar ka të bëjë me atë që në rastet kur raportohet që ka ndodhur një dhunë në familje, prokurori por edhe gjyqtari pastaj, detyrimisht të obligohen që rastet e tilla të dërgohen në paraburgim. Kur kemi bërë këto ndryshime i kemi bërë duke u bazuar në rrethanat në Kosovë sepse nuk do të kishim nevojë për këto ndryshime të tilla por duke parë edhe rastin e fundit të të ndjerës Magashi ku e njëjta e kishte raportuar rastin por i njëjti ishte liruar në procedurë të rregullt dhe tash shteti vetë me mosveprim e shndërron dhunuesin në vrasës”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, ka thënë se problem për dhunën në familje e sheh edhe mentalitetin patriarkal që ekziston në shoqërinë kosovare.

“Kosova ende fatkeqësisht ballafaqohet me një mentalitet patriarkal prandaj duhet bashkim forcash dhe mentaliteti patriarkal fatkeqësisht depërton pastaj edhe në institucione dhe kjo bëhet mandej më e rëndë. Duhet një vëmendje e veçantë në inspektimin dhe monitorimin e institucioneve që e kanë përgjegjësinë direkte për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave”, është shprehur Haxhiu.

Edhe Haxhiu: Komunat të kryejnë obligimet, të paguajnë qiratë e shpenzimet për të mbijetuarat e dhunës Arbëri Haxhiu: Komunat të kryejnë obligimet, të paguajnë qiratë e shpenzimet për të mbijetuarat e dhunës

Ajo ka folur edhe për gjendjen e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje, duke thënë se është rritur buxheti për to në 1,5 milionë euro.

“Për herë të parë Qeveria po planifikon që buxheti vjetor për strehimore të jetë më i madh jo sikurse në të kaluarën. Vitet e kaluara buxheti për strehimoret ka qenë 1 milionë ndërkaq për herë të parë është 1,5 milionë. Planifikimet janë që të mbështeten shumë më shumë se që janë mbështet më pas”, ka shtuar Haxhiu.