Arbëri

Haxhiu i përgjigjet Kurtit: Për mashtrim je kampion

Bekim Haxhiu kërkon të trajtohet me urgjencë tërheqja nga Trusti

Iniciuesi i tërheqjes së re nga trusti, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, që më herët në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën e quajti diletant.

Duke kundërshtuar idenë e tërheqjes së mjeteve nga trusti, Kurti në mbledhje e akuzoi Haxhiun për diletantizëm pasi ky u shpreh se Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka dalë kundër propozimit, do të mund t’u jepte mjaftueshëm mjete qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmanget prekja e Trustit.

Në një përgjigje në Facebook, Haxhiu ka thënë se kryeministri “e paska humbur kontrollin”. E ka quajtur “kampion për mashtrim e diletantizëm”.

“Përpjekje djallëzore e Kurtit për ta acaruar debatin për Trustin, ne vend se të angazhohet për të punuar për qytetarët. Kryeministër, unë deputet i Kuvendit të Kosovës në 5 mandate, nuk fyhem nga fjalët tua, unë dhe qytetarët janë të fyer nga paaftësia e juaj, nga nepotizmi dhe korrupsioni në qeverisjen tuaj. ‘Ekspertizën’ tuaj po e shohim në rastin Martin Berishës dhe ZRrE-së me shtrenjtim të energjisë elektrike dhe shtrenjtim të çmimeve. Pse jeni nervoz kryeministër? Unë sipas Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit kam dorëzuar projektligjin për Trustin, i cili e ka mbështetjen te krejt opozitës dhe deputetëve tjerë nga mazhoranca, gjë që do të duhej të ju gëzonte e jo të ju nervozonte. Nuk është e nevojshme ta ashpërsoni gjuhën për t'u ndezur debati për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve!” ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu ka thënë se Kurti po merret me të për shkak të kërkesës së madhe të qytetarëve për tërheqjen nga Trusti.

Ai po ashtu ka ndërlidhur akuzat me kohën e luftës, duke e quajtur Kurtin “ ‘veteran’ pa ia bë bam askund”.

“Kush është diletant, ti apo unë?! Albin për mashtrim dhe dilitantizëm je kampion!” ka përfunduar Haxhiu.