Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Bekim Haxhiu – Masazheri i Trustit

Kauza për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e parave nga Trusti pensional e karakterizoi deputetin Bekim Haxhiu gjatë vitit. Dhe, në këtë kauzë, deputeti i PDK-së pati jo pak përplasje me ligjvënës të pushtetit, me ministra e me kryeministrin.

Në një nga përballjet, kryeministri tha se s’mund ta dëgjonte tek e prezantonte këtë nismë. Por, deputetit që ligjëron në Fizioterapi i premtoi se me respektin më të madh do ta dëgjonte kur do ta sillte në seancë, për shembull, ndonjë projektligj për masazh. E, në replikë, Haxhiu i tha kryeministrit se, duke qëndruar brenda në zyrë pa i parë problemet e qytetarëve, do të bëhet për fizioterapi dhe i ofroi gatishmëri atij për trajtim falas.

Nisma për Trustin nuk kaloi në Kuvend, e Haxhiu nuk u ndal veç në të. Ai jo pak kohë u mor edhe me shëndetësinë. Dhe, edhe në këtë sektor betejën kryesore e zhvilloi me kryeministrin.

Rifat Latifin sa ishte ministër i Shëndetësisë nuk e sulmoi. Por, e “vajtoi” kur ai u dorëhoq. Haxhiu tha se kryeministri e themeloi Komitetin për Shëndetësi në krye të së cilit u vu vetë, me qëllimin për ta përzënë Latifin.