Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u ka lënë fajin institucioneve për vrasjen e 48-vjeçares nga burri i saj të mërkurën në Llaushë të Skenderajt.
Përveç se dënim maksimal për vrasësin, Haxhiu ka kërkuar urgjentisht “masa disiplinore e penale ndaj të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës”.
“Edhe sa gra duhet të vriten nga bashkëshortët, në mënyrë që të ketë veprime dhe reagime të menjëhershme në rastet e dhunës në familje? Nuk kanë vend në institucione këta njerëz!”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu në profilin e saj në Facebook.
Ndërkaq në një postim të mëvonshëm, Haxhiu ka thënë se prokurorja kujdestare dhe mbrojtësja e viktimave s’e kanë kryer punën siç duhej.
“Sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti të kualifikohet si ‘Dhunë në Familje’, por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunesi të mbetet i lirë! Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme. Ndërsa mbrojtësja e viktimave paska kërkuar dërgim me email të lëndës në vend se të shkonte tek viktima sa ishte në polici. Dy gra që është dashur të veprojnë për të mbrojtur jetën e tani të ndjerës dhe asnjëra nuk i ka kryer detyrat prandaj duhet të ndërmerren masa urgjentisht!” ka thënë ajo.
S.O. dyshohet se e ka vrarë gruan e tij në Llaushë të Skenderajt pas një mosmarrëveshjeje. Ai dyshohet se ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës e cila ka vdekur rrugës për në spitalin rajonal të Mitrovicës.
Të premten, nga ora 12:00, është paralajmëruar një protestë në Skenderaj kundër dhunës dhe vrasjes së grave.
Edhe sa gra duhet të vriten nga bashkëshortët, në mënyrë që të ketë veprime dhe reagime të menjëhershme në rastet e...
Posted by Albulena Haxhiu on Thursday, January 6, 2022