Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu e VV-së e quan hipokrizi reagimin e Veselit për Naser Shalën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e ka quajtur hipokrizi reagimin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, pas tërheqjes edhe të Ambasadës së SHBA-së nga Bordi i Agjencisë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës.

“Hipokrizia e Veselit nuk ka fund dhe ka nisur të bëhet e gërditshme. I njëjti paska folur rreth largimit të Ambasadës Amerikane nga AKVP, për shkak të Naser Shales apo ‘Ftyrës’”, ka thënë ajo.

“Në fakt deputetet e PDK, AAK dhe Nismës e kanë votuar të njëjtin edhe përkundër faktit që Komisioni për Legjislacion kishte rekomanduar të mos përkrahet i njëjti. Pazaret i kanë bërë bashkë andaj PANhajnia duhet të largohet në PAKO”, ka thënë më tej ajo.

E ndonëse ka qenë kryetar i Kuvendit kur është zgjedhur Naser Shala në krye të Bordit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, Kadri Veseli ka reaguar pas dorëheqjes së Ambasadës së Amerikës nga bordi i kësaj agjencie, duke thënë se ky është lajm i keq për Kosovën dhe alarm për të gjithë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nepotizmi po e dëmton shtetin, po i detyron të rinjtë të ikin nga vendi, gjithashtu po i cenon rëndë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Liria, pavarësia dhe proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara”, ka shkruar ai.

Edhe Veseli pas dorëheqjes se SHBA-së nga bordi i Agjencisë së Pronës: Duhet të alarmohemi të gjithë Arbëri Veseli pas dorëheqjes se SHBA-së nga bordi i Agjencisë së Pronës: Duhet të alarmohemi të gjithë

Sipas Veselit, kjo ngjarje është dëshmi e qartë se lufta ndaj nepotizmit dhe korrupsionit është një domosdoshmëri.

“Prandaj unë e kam nisur këtë luftë me një vendosmëri të madhe dhe do t’i shkoj deri në fund. Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ne duhet të luftojmë pakompromis korrupsionin”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Ambasada e Britanisë së Madhe gjithashtu edhe ajo e SHBA-së janë tërhequr nga bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, pasi kanë kundërshtuar emërimin e Naser Shalës në pozitën e kreut të Sekretariatit ekzekutiv të këtij institucioni, pasi që sipas tyre, Shala është i pakualifikuar, dhe se këtë pozitë e ka marrë për shkak të afërsisë me deputetët gjatë kohës së luftës.