Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar shkelje ligjore kërkesën e ish-ministrit Selim Selimi që i akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt të kthehej nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Të premten KOHA raportoi se i akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj, dhjetorin e vitit të kaluar ishte transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë. Kjo pasi që ishte gjetur një telefon mobil në qelinë ku po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Megjithatë, ai prapë ishte kthyer në Prizren, dhe kjo me kërkesë të ish-ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.
E në mbrëmje, ministrja Haxhiu ka thënë se ministrit të Drejtësisë nuk i lejohen ndërhyrjet në transfere të tilla. Ajo ka thënë se do të ndalohen shkelje të tilla.
“Ministrit të Drejtësisë nuk i lejohen ndërhyrjet në transferet e personave që janë të paraburgosur apo burgosur, siç ishte rasti i ndërhyrjes në rastin e personit që akuzohet për vrasjen e Agonis Tetaj. Kjo është shkelje ligjore. Si Ministre e Drejtësisë jam shumë e shqetësuar me shkeljet e ndikimet që kanë ndodhur në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Këto ndërhyrje dhe çfarëdo shkelje tjetër do të ndalohet dhe adresohet”, ka shkruar ajo në Facebook.