Arbëri

Haxhimusa: Qeveria ka qenë sulmuese ndaj bizneseve

Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë, ka thënë Qeveria në detyrë ka qenë sulmuese ndaj bizneseve sa i përket çështjet së daljes në treg të lirë, derisa ka kritikuar opozitën për mosreagim.

Ai ka thënë se vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë duhet të diskutohen paraprakisht me akterët e prekur para se të merren vendimet. 

“Qeveria ka qenë komplet joaktive, nëse ka qenë aktive atëherë ka qenë sulmuese, ka përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj këtyre bizneseve. Edhe pse dihet që këta kanë një problem me Devollin, kjo gjuhë nuk duhet t’i spërkaste të gjitha bizneset. Çka më shqetëson, është opozita. Nuk e di pse opozita nuk po flet”, ka thënë ai në Interaktiv.

Haxhimusa ka kritikuar edhe institucionet pasi ka thënë se procesi i tranzicionit në dalje në treg të lirë do të duhej të përcillej shumë më afër nga to.

“Procesi i tranzicionit nga tarifat e rregulluara në treg të lirë është dashur të përcillet nga afër nga shumë akterë institucionalë. Do duhej të vrojtohej gjendja cdo muaj dhe të bëhej evaluimi i efekteve të kësaj politike. Çka po ndodh është një politikë symbyllazi ku me të qëlluar ndoshta është me të drejtë çka po bën ZRRE-ja, por ne nuk e dimë. Bizneset po thonë se kjo periudha tranzitore është e dëmshme”, u shpreh ai.

Sipas Haxhimusës, qeveritë në vazhdimësi është dashur t’i identifikojnë dhe vrojtojnë bizneset në profitet e tyre, që me hyrjen në fuqi të vendimit për liberalizimin e tregut të dihet se sa mund t’i përballojnë ndryshimet ato.

“Mungon një analizë socioekonomike e këtij vendimi. Efektet socioekonomike të kësaj brenda një periudhë shumë të shkurt, 1-vjecare, mund të jenë aq të rënda sa që ekonomisë së Kosovës i duhet shumë kohë që të vijë në gjendjen e tanishme”, ka potencuar Haxhimusa.

ZRRE ka njoftuar të mërkurën se nga 16 gushti do të shkyçen nga rrjeti të gjitha bizneset që i plotësojnë kushtet për të dalë në treg të hapur të energjisë nëse ato nuk kanë lidhur kontratë me furnizues. Bizneset janë shprehur të alarmuara dhe kanë kërkuar sërish shtyrje të afatit. E përfaqësues të bizneseve thonë se pasojat do të jenë të mëdha për ekonominë nëse bëhet dalja e detyruar në treg të hapur.

Të martën, shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka aprovuar ankesën e ZRRE-së, duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të hapur të energjisë elektrike.