Kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka njoftuar se ka siguruar mbështetjen për bashkëqeverisje me KDTP-në. Paraprakisht ka bërë të ditur se përkrahje të tillë do të ketë edhe nga kandidati i pavarur Milazim Lushaj, si dhe iniciativa NASHA.
“Falënderoj kryetarin e Partisë Demokratike Turke (KDTP), Fikrim Damka që iu përgjigj kërkesës së qytetarëve për të bashkë qeverisur më shumë për Prizrenin. Qeverisja e mirë dhe bashkëpunimi i mirëfilltë gjatë këtyre katër viteve, do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, për të çuar përpara projektet madhore në interes të të gjithë qytetarëve të Prizrenit!”, është shprehur Haskuka në rrjetet sociale, duke shtuar se me Damkën ka pasur bashkëpunim të mirë edhe si ministër i Zhvillimit Rajonal, gjë që ka rezultuar me projekte të rëndësishme për Prizrenin.
“Ky bashkëpunim i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si në nivelin lokal, ashtu edhe në nivelin qendror”, ka bërë të ditur Haskuka.
Gjatë ditës ai ka njoftuar se edhe me kandidatin e pavarur, i cili ka qenë pjesë e garës në raundin e parë për kryetar të Prizrenit, Milazim Lushaj është arritur ujdia për bashkëpunim.
“Nga Lushaj mora mbështetje të sinqertë dhe u dakorduam që ta vazhdojmë bashkëpunimin, në mënyrë që Prizreni mos të ketë “kthim mbrapa”, e të ecë drejt projekteve që do ta shndërrojnë Prizrenin në kryeqytet të zhvillimit e të prodhimit!”.
Ndërsa një ditë më parë Haksuka në takim me udhëheqësin e Iniciativës boshnjake NASHA nga Prizreni, Alis Bashini ka zyrtarizuar mbështetjen e kësaj iniciative për zgjedhjet e 14 nëntorit në Prizren.
“Kjo mbështetje vjen pas partneritetit tonë të sinqertë, transparencës, respektimit të ndërsjellë dhe barazisë që e kemi treguar për këto katër vite me qytetarët”, ka njoftuar Haskuka.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka i LVV-së përballet me kundërkandidatin nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj.