Arbëri

Hasani: SHBA-ja s’do ta imponojë zgjidhjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Letrat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për presidentët e Kosovës dhe të Serbisë janë inkurajim për arritjen e një marrëveshjeje në mes të palëve, por jo që ajo domosdo të jetë copëtimi i Kosovës ose ngjashëm, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, profesori i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai nuk e përjashton mundësinë që ideja për ndryshim të kufijve të jetë në tavolinën e bisedimeve, por sipas tij, është gabim që të rihapet çështja e kufijve, përgjithësisht në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tash për tash duket se ka ngecur. A prisni rifillimin e këtij dialogu, për të cilin thuhet se do të jetë në fazën përfundimtare dhe a ka shenja se kur mund të fillojë?

Enver Hasani: Unë nuk e kam të qartë se kur mund të rifillojë, meqenëse ajo varet kryesisht nga dinamikat e brendshme në Kosovë, por edhe në Serbi, të cilat, veçanërisht në Kosovë, shihet që kanë marrë një kahe, që nuk është bash e kënaqshme, meqenëse shihet qartë se nuk ka një pajtim as të përafërt të konsensusit mes forcave politike, sa i përket formës dhe përmbajtjes së dialogut.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të ketë një përafrim qëndrimesh të spektrit politik?

Enver Hasani: Unë nuk pres, meqenëse çështja kryesore që është nisur, është nisur gabim dhe është futur copëtimi i Kosovës si variant, i ashtuquajtur i dhimbshëm, përkatësisht si levë ndikimi ndaj Serbisë për të fituar disa koncesione sa i përket shtetësisë së Kosovës. Ky fakt ka bërë që partitë që përfaqësojnë pjesën dërmuese të popullsisë së Kosovës, të kenë rezerva serioze. Kjo do të thotë është nisur mbrapsht, sa i përket mënyrës dhe përmbajtjes të konsensusit që pritet të arrihet dhe kjo ka shkaktuar frikë edhe te forcat kryesore politike, por edhe te qytetarët e zakonshëm.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thënë se mund të ketë copëtim të Kosovës, por e ka potencuar korrigjim të kufirit...

Enver Hasani: Mund të quhet si të doni, por esenca e asaj çfarë është parë deri sot dhe sjelljet e palës serbe, del që flitet për copëtim. Në praktikën ndërkombëtare, me korrigjim të kufijve nënkuptohet kur është deri në 500 metra që të lëvizë vija kufitare, qoftë brenda, qoftë jashtë. Këtu nuk flitet për 500 metra.

Intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.