Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka deklaruar se janë të gatshëm që t’i ndihmojnë prodhuesit nëse edhe industria e drurit përballet me konkurrencë të pabarabartë.
Bajrami i bëri këto komente gjatë vizitës në një fabrikë të mobileve në Kijevë të Malishevës. Hasani tha se janë të gatshëm që t’i ndihmojnë prodhuesit, dhe nëse edhe industria e drurit përballet me konkurrencë të pa barabartë, MTI do të ndërmarrë masa si kur në industritë e tjera.
“Në bashkëbisedim me pronarin pamë shqetësimet e tyre të cilat pas aplikimit të Pakos Fiskale për gjysmë produktet, të cilat i përdor kjo fabrikë, ende nuk kanë hyrë në kodin doganor (këto lehtësira). Për këtë ne kërkojmë nga Dogana dhe Ministria e Financave që sa më parë ta zbatojnë vendimin e Qeverisë për të cilën kemi liruar të gjithë prodhuesit nga lënda e parë e gjysmë produkteve. Andaj, jemi të gatshëm çdo herë që të ndihmojmë aty ku kemi mundësi. Ne në disa industri kemi nisur hetimet, dhe në rast se edhe industria e drurit ka nevojë për mbështetje të tillë, për konkurrencë jo të barabartë nga shtetet tjera që importohen, jemi të gatshëm që si Ministri e Tregtisë të ndërmarrim masa që t’i mbrojmë prodhuesit vendor”, ka thënë ministri Hasani.