Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se që nga 6 gushti vendi është pa president dhe është “një anarki e organizuar sa i përket funksionimit të organeve qendrore”.
Hasani ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu në momentin kur është betuar si deputete ajo e ka humbur postin e ushtrueses së detyrës së presidentes dhe po e mban atë post jashtëligjshëm.
“Zonja Haxhiu me vetëdije dhe një pjesë bukur e madhe e ministrave ushtrojnë dy funksione...Me deligjitimin e organit të fundit të ushtrueses së detyrës gjendja ka dalë total jashtë kuadrit kushtetues. Tash si të thuash është anarki e organizuar sa i përket funksionimit të organeve qendrore”, ka thënë Hasani në “Konfront” të KTV-së.
Hasani ka thënë se nuk bëhet më fjalë për afate, pasi në momentin që Haxhiu është betuar për deputete afatet kanë mbaruar.
“Nuk diskutohet më 4 tetor apo 3 tetor. Ajo do të vlente vetëm në rrethana normale. Do të vlente ai 6 muajshi nëse mos e dhashtë Zoti ka paaftësi, apo vdekje apo ndërprerje që bëhet për shkaqe objektive. Atëherë do të vlente. Por, ishte situatë e pastër kushtetuese. Aktgyjimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. Pushteti e disa që flasin nuk i lexojnë e nuk merren fare me aktgjykimet, sikur të mos ekzistonte fare Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani.
Hasani ka thënë se vendi është pa president dhe çdo veprim që merr Haxhiu s’ka vlerë.
“Jemi absolut pa president. Çdo veprim i zonjës Haxhiu është sikur ta marrim veprimin unë, ti apo kameramani. Zonja Haxhiu e ka ndërpre afatin me dhënien e betimit si deputete. Nuk mund të jesh deputete, kryetare e Kuvendit e ushtruese e detyrës së presidentes. Askund në botë nuk ka kështu”, tha Hasani.
Ai gjendjen e ka quajtur anarki.
“Në aspektin institucional kur dalin institucionet jashtë normave kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë me bandë të organizuar apo uzurpator të pushtetit. Mund ta quash edhe huliganizëm institucional”, tha Hasani, ndërsa shtoi se ka plotë vepra penale që po kryhen nga ministrat që po nënshkruajnë sot vendime të ndryshme.
Hasani: Kurti e ka kthyer postin e presidentit në shtyllë turpi
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, albin Kurti, duke thënë se e ka poshtëruar institucionin e Presidentit dhe se e ka shndërruar në shtyllë turpi me mënyrën se si po e menaxhon procesin.
Ai ka thënë se duke përmendur emra për këtë post, ai po komprometon e poshtëron emra eminent të Kosovë.
“Sot posti i presidentit të Republikës është bërë shtylla e turpit për komprometim të njerëzve, për poshtërim të njerëzve, të emrave të njerëzve, të emrave eminent ë Kosovës, bash si në Mesjetë ... kjo është shtylla e turpit, mënyra se si po e menaxhojnë”, ka theksuar Hasani.
Ai ka thënë se për t’u zgjedhur presidenti në Kosovë duhet të ketë marrëveshje të gjerë politike.
Hasani ka thënë se mendon që do të duhej që 2/3 e votave për presidentin do të duhej të ishin në tri rundet e votimit dhe jo vetëm në dy të parat.
“Në tri rundet duhet të jenë dy të tretat, sepse presidenti është institucioni, fytyra e shtetit brenda dhe jashtë, dhe ai duhet ta ketë përkrahjen maksimale, të dy të tretave të forcave politike në vend, sepse kompetencat e tij janë aq të dobishme, shefi i shtetit është i dobishëm për të gjithë, i rrezikshëm për askënd... ajo fytyrë e shtetit nuk duhet të jetë militantizëm siç ka ndodhur te ne”, ka theksuar Hasani.
Hasani: Kjo s’është qeverisje, është synim për të sunduar mbi të gjithë
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se ajo çfarë po bën partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, është tentim për të sunduar mbi të gjithë.
Hasani ka thënë se arsyetimi i kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, se nuk ka vota të mjaftueshme për nënkryetarët e propozuar nga PDK-ja e LDK-ja s’ka logjikë dhe është shkelje që nuk është lënë të votohet për nënkryetarët e Kuvendit.
“S’ka asnjë logjikë. Është ky sundim. Nuk është qeverisje më. Është synim për të sunduar mbi të gjithë. Është problem të sundosh kur nuk i ke 80 për qind të votave...Shkoni prapë në zgjedhje, e ndoshta i merr 80 apo 100 për qind. Por, s’mund të përdorësh mekanizma për të bllokuar. Kjo është shumë e lehtë të përdoret mekanizmi për të bllokuar pushteti qendror”, tha Hasani në “Konfront” të KTV-së.
Hasani ka thënë se nuk po merret askush me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Sikur të mos ekzistonin ato. Kapen në një nen të Kushtetutës dhe thonë se ky është interpretimi ynë. Vetëm një organ e interpreton Kushtetutën, është Gjykata Kushtetuese. Moslejimi i votimit të nënkryetarëve është element i veprës penale të cenimit të rendit kushtetues. Po abuzon me postin”, tha Hasani.
Hasani: Marrëveshja e Ohrit dhe 16 shtatori janë shkaqet që Kurti po e bllokon sistemin
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se shkaku primar i “sjellës politike devijante” të kryeministrit në detyrë Albin Kurti është Marrëveshja e Ohrit.
Sipas Hasanit, Kurti me çdo kusht po provon ta bllokojë sistemin pasi siç ka thënë “e di se çfarë ka bërë” me nënshkrimin e saj dhe e di se ajo një ditë do të zbatohet.
“Ka shkak dhe shkas të kësaj sjellje, unë jam i bindur që shkaku bazik i krejt sjelljes aberrante të Kurtit është Marrëveshja e Ohrit, do të thotë ai e di se çfarë ka bërë, dhe tash provon me çdo kusht ta bllokojë sistemin, ai e di që ajo marrëveshje do të zbatohet një ditë dhe me supozim se ne shkojmë në një konflikt masiv civil, një ditë prapë ti do të vishë në sistem, nuk ke qare pa ardhur në norma juridike sepse kështu është Evropë, nuk të lë ty me u përhanë pa fund, një vjet, dy vjet edhe lodhesh”, është shprehur Hasani në emisionin “Konfront” në KTV.
Ndërkohë që ka thënë se 16 shtatori, data kur Gjykata Speciale do të shpallë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, është shkak i momentit i sjelljes së Kurtit.
“Shkaku bazik është ai që nuk ndryshon, do të thotë Ohri, dhe shkas për këtë rund të ngërçit që e ka prodhuar dhe po e vazhdon është 16 shtatori”, ka theksuar Hasani.
Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që Kurti ta ketë parë verdiktin e Speciale.
“Jam i sigurt që verdikti është i dhënë dhe i shkruar në këtë moment që po flasim pasi gjyqtar kam qenë vetë, nuk shkruhet një ditë para së të shpallet dhe mund të ndodhë që qarqe të caktuara e dinë llojin e verdiktit”, është shprehur Hasani.
Ai ka thënë se Gjykata nuk e ka detyrim ta njoftojë kryeministrin ose ministrin e Brendshëm për llojin e verdiktit, por sipas tij, vendet e QUINT-it do të duhej të ishin të njoftuara, pasi ka thënë se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë problem sigurie.
Kosova e Serbia arritën marrëveshje më 2023, në atë që shihet si rrugë drejt normalizimit të raporteve. Marrëveshja njihet si ajo e Ohrit. Edhe pse Kosova insiston në nënshkrime, Brukseli e konsideron si marrëveshje obligative. Megjithatë ajo s’është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë.
Ndër të tjera, Marrëveshja parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore. Kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme.
Megjithatë, pas refuzimit të Serbisë për zbatim dhe një letre të ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, në të cilën u tha se s’do të zbatohen disa pjesë – Kurti në qershor 2024 ka refuzuar takim me Vuçiqin. Ai vendosi tri kushte: që të tërhiqet kjo letër, që të dorëzohet Radoiçiqi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve.
Hasani: Përdorimi i termit “popull serb” s’mund të prodhojë pasoja juridike
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se përdorimi i termit “populli serb” të mërkurën në seancën konstituive të Kuvendit nga deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, nuk mund të prodhojë pasoja juridike.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë nominimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar, ka thënë se ai propozohet “në emër të popullit serb”.
Kjo ngjalli reagime dhe ishte një nga arsyet që nuk pati dakordim për mënyrën e votimit në pako të nënkryetarëve të Kuvendit dhe u shty seanca konstituive për të premten.
“Është liri e tij. Unë flas në emër të popullit serb të Kosovës. Po ka popull serb, boshnjak, turk, e edhe popull malazez në Kosovë edhe pse nuk është kategori kushtetuese. Kjo logjikë në Kuvend duhet të ketë kufij, pasi një ditë mund të eskalojë situata. Në politikë s’mund ta luash letrën e konfliktit. Nuk ka asnjëherë pasojë. Është çështje identitare. E kemi me Kushtetutë”, ka thënë Hasani në “Konfront” të KTV-së.
Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu i bëri thirrje Simiqit ta tërheqë fjalën. Por, Simiq nuk e tërhoqi. Kjo ishte një nga dy arsyet që u shty seanca.
“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92% janë shqiptarë, 4% serbë dhe 4% nga komunitetet e tjera”, tha Haxhiu.
Arsyeja tjetër për shtyrje të seancës ishte se kandidatët e PDK-së dhe LDK-së ka thënë se nuk kishin vota, edhe pse mbështetja e tyre nuk është testuar përmes votimit