Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj viziton Ahmetin, bisedojnë për ligjin e kryeqytetit

Kryeministri Ramush Haradinaj me disa ministra të qeverisë që udhëheq ka takuar sot kryetarin e Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti.

Pas takimit, Ahmeti ka thënë se “është fatkeqësi që është vetëm hera e parë që një kryeministër e viziton Komunën e Prishtinës”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ata kanë njoftuar se kanë biseduar për ligjin për kryeqytetin dhe për Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve.

Po ashtu, Ahmeti ka treguar se është biseduar edhe për sallën koncertale për të cilën ka shprehur bindje se do të marrë ndihmë nga Qeveria.

Në anën tjetër, Haradinaj ka thënë se është biseduar edhe për arsimin, ndërsa janë dakorduar që takimin e radhës ta mbajnë në qeveri.

Pas takimit, qeveria e Kosovës ka lëshuar një njoftim në të cilin ka dhënë detajet nga takimi:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Komunën e Prishtinës, me ç ‘rast është pritur nga kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti me bashkëpunëtorë.

Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga ministrat Valdrin Lluka, Albena Reshitaj, Shyqiri Bytyçi dhe Kujtim Gashi, ka biseduar me kryetarin Ahmeti për çështjet e interesit të përbashkët dhe realizimin e projekteve që janë interes jo vetëm për Prishtinën, por edhe për Republikën e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se sot me disa ministra dhe kolegë nga Zyra e Kryeministrit, kanë zhvilluar një takim pune me qeverinë e Komunës së Prishtinës dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Duke theksuar rëndësinë e vizitës, kryeministri Haradinaj tha se kësaj vizite i ka paraprirë edhe një takim që ka zhvilluar më herët me kryetarin Ahmeti, dhe për këtë janë bërë disa parapërgatitje që ky takim të jetë takim pune, në të cilin janë diskutuar plotë tema.

“Ne sot kemi diskutuar për Ligjin për Prishtinën, implikimet që ka ky ligj dhe atë se çka do të ndodhë, edhe me një aspekt që është rendi, pra, policia komunale; në shëndetësi, që është Spitali dhe për Pallatin e Rinisë. Pallati ka disa obligime të caktuara financiare dhe duhet menduar se si do t’i trajtojmë në të ardhmen edhe Pallatin e Operës”, tha kryeministri Haradinaj.

Në takim kryeministri Haradinaj tha se u bisedua për gjendjen aktuale në arsim, me fokus në testin PISA që ka rëndësi për të gjithë, për shëndetësinë po ashtu, për sportistët, për gjendjen e tyre, për të bërit biznes, për të gjitha ato shqetësime, kërkesa dhe pritje që i kanë, furnizimin me energji, kategoritë e lirisë, 10-vjetorin e pavarësisë, duke veçuar faktin se komuna është nikoqir dhe të gjitha këto manifestime ndodhin në Komunën e Prishtinës dhe kjo është një ngarkesë, por edhe një mundësi për të qenë bashkë.

“Veçanërisht folëm për Unazën e Prishtinës, që është një projekt më i madh infrastrukturor dhe investiv, për të cilin e kemi një opsion se si të ecim përpara”, tha kryeministri Haradinaj.

po ju them se pa marrë parasysh çfarëdo debati tjetër, asnjë pengesë nuk do ta ketë Qeveria nga debatet partiake apo politike, që të jetë në shërbim të komunës për t’i përkrahur këto tema në interes të qytetarëve të Prishtinës”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, falënderoi kryeministrin për vizitën në Komunën e Prishtinës, të parën vizitë që zhvillon një kryeministër në Komunë.

“Kemi shumë tema të përbashkëta që duhet t’i zgjidhim. Sot diskutuam për temat konkrete në disa fusha, duke vazhduar punën e mbetur në Ligjin për Prishtinën, sepse Qeveria është e interesuar që sa më shpejtë të shkojë në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, për Pallatin e Rinisë dhe vendimin që ka marrë Qeveria që të kalojë në pronësi të Komunës, krijimin e Task-Forcës për zhvendosjen e një pjese të administratës shtetërore në periferi të qytetit, konkretisht largimin e Administratës Tatimore të Kosovës nga ndërtesa e ish-Shtëpisë së Mallrave, për funksionalizimin e një salle të koncerteve apo Pallatit të Operës”, tha kryetari Ahmeti.