Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Prizren, ka përsëritur kërkesën e tij për nevojën e përfshirjes së veteranëve të luftës së UÇK-së në rritjen e pagës minimale, pavarësisht verifikimit që mund të vazhdojë nga organet përgjegjëse. Njëherësh nuk e ka fshehur as dilemën lidhur me bashkëpunimin e duhur në mes të dy niveleve të qeverisjes
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se përfshirja e veteranëve të luftës së UÇK-së në rritjen e pagës minimale është e domosdoshme. Lideri opozitar ka pohuar se organet e drejtësisë mund ta vazhdojnë punën sa i përket verifikimit të veteranëve, porse nuk ka arsye që ata të mos përfshihen në rritjen e pagës minimale.
“Mendoj se edhe debati për veteranët është i panevojshëm. Tani ka edhe diçka që duhet ta shpjegojmë, veteranët janë në një pozitë të vështirë materiale financiare ashtu siç janë gjithë të tjerët. Ne nuk mohojmë pozitën e vështirë të kategorive të tjera, pra të pensionistëve të tjerë. Por do të ishte e dhimbshme që tani në emër të një riverifikimi pas një procesi gjyqësor t'ju mohohet atyre përfshirja në kategorizimin e pagës minimale nëse ajo do të rritet. Pra, do të ishte diçka mjaft e dhimbshme, mjaft e padrejtë dhe kjo është arsyeja pse unë kam reaguar”, ka thënë Haradinaj.
Këtë qëndrim ai e ka shprehur në Prizren, ku është takuar me kryetarin e Komunës, Shaqir Totaj, me ç’rast ka shfaqur dilemën lidhur me bashkëpunimin e duhur në mes të dy niveleve të qeverisjes.
“E dimë se jemi në kohëra jo të lehta në Kosovë ku ka rritje të çmimeve, ka vështirësi të jetës së qytetarëve, kërkesat janë të mëdha buxhetore, edhe për projekte, ndoshta mungon edhe mirëkuptimi i ndërsjellë i niveleve të qeverisjes komunale dhe nacionale, por sido që të jetë kemi besim të plotë se kryetari Totaj, ekipi i tij qeverisës do ta bëjnë më të mirën për Prizrenin”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur bindjen se me partnerët e koalicionit janë të angazhuar për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.
“Ballafaqohemi me shumë sfida, sepse janë kohëra ekonomikisht të vështira, mirëpo po e ripërsëris apo po e citoj vetveten, ne nuk i limitojmë sfidat, por i sfidojmë limitet. Bashkërisht do t’i sfidojmë limitet dhe jam shumë i sigurt se do të kemi sukses”, është shprehur Totaj.
AAK-ja dhe PDK-ja në Prizren kanë marrëveshje për bashkëqeverisje, në bazë të së cilës AAK-ja udhëheq me 3 drejtori komunale.