Edhe pse Turqia reagoi ashpër ndaj Kosovës për vendimin për hapje të ambasadës në Jerusalem, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla ka thënë se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të qëndrueshme, pas një bisede telefonike që ka zhvilluar me homologun turk Mevlut Cavusoglu.
Sipas një komunikate të MPJD-së, Haradinaj-Stublla ka falënderuar Cavusoglun për “për përkrahjen e vazhdueshme që shteti turk i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi”.
“Shpreha mirënjohje ndaj shtetit të Turqisë për përkrahjen në vazhdimësi të Republikës së Kosovës, në rrafshin bilateral dhe atë të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, është shprehur ajo.
Haradinaj-Stublla tutje ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të shtojë njohjet ndërkombëtare e të fuqizojë subjektivitetin ndërkombëtar.
“Ne si shtet i ri, jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me miqtë tanë me të cilët kemi të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe raporte të pathyeshme”, ka deklaruar Haradinaj.
“Shefja e diplomacisë ka rikonfirmuar se marrëdhënia e ngushtë bashkëpunuese më Turqinë është e shkëlqyeshme, duke shtuar se synohet avancimi i interesave të përbashkëta në drejtim të forcimit të ndërsjellë”, përfundon komunikata që vjen saktësisht gjashtë ditë pasi Turqia u shpreh e “zhgënjyer” me Kosovën për vendimin që të hapë ambasadë në Jerusalem, sipas marrëveshjes që Kosova e nënshkroi në Washington.
Ishte pikërisht ministria që Cavusoglu udhëheq që më 6 shtator kishte lëshuar dy reagime për 24 orë rreth paralajmërimeve për vendosjen në Jerusalem të ambasadave të Kosovës dhe Serbisë, duke u shprehur “e zhgënjyer” me Kosovën, por vetëm “e shqetësuar” me Serbinë.