Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Shtetet mike ta mbështesin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar shtetet mike për lëvizjet e fundit të tyre në Bashkimin Evropian, duke thënë se nga këto lëvizje mund të mbështetet edhe më shumë subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës.

Ai ka uruar Suedinë për marrjen e Presidencës së BE-së dhe Maqedonisë së Veriut për marrjen e kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, si dhe Kroacinë për hyrjen e saj në zonën Schengen dhe miratimin e euros si monedhë zyrtare.

“Urime Suedisë për marrjen e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut për marrjen e kryesimit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian! Të dyja këto janë role të rëndësishme që do të kërkojnë një lidership dhe përgjegjësi të madhe, dhe ne kemi besim të plotë se Suedia dhe Maqedonia e Veriut janë në lartësinë e detyrës. Ne gjithashtu i shprehim urimet tona më të ngrohta Kroacisë për hyrjen e saj në zonën Schengen dhe miratimin e euros si monedhë zyrtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, duke shtuar se ky është moment historik për Kroacinë.

Ai ka thënë se pret të shohë se çfarë do të sjellë e ardhmja për Kroacinë dhe të forcohen më tej marrëdhëniet midis Kosovës dhe fqinjëve të saj miq.

“Shprehim urimet tona të sinqerta për këto shtete mike dhe shpresën tonë të madhe që nga pozicionet e tyre do të kenë një mundësi edhe më të madhe për të mbështetur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ne i vlerësojmë marrëdhëniet tona me këto vende dhe presim të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë ne”, ka thënë ai.