Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar Feride Rushitin, me ç’rast edhe e ka përgëzuar për Çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme.
Ka thënë se ndihet krenar me gra si ajo, të cilat janë gra të guximshme të Kosovës.
Postimi i Haradinajt:
Përgëzime për gruan e guximshme, Feride Rushiti, fituese e çmimit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ajo është shëmbëlltyra e një gruaje kosovare, luftëtare e pamposhtur, veçanërisht, në mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Krenar me gratë e guximshme në Kosovë, që shoqërisë sonë i japin forcën dhe kurajon për të nesërmen.
Kujtojmë se ky çmim, që ka marrë Rushiti, është ndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.