Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Rukiqi le t’i këqyrë punët e veta

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka kundërpërgjigjur kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqit, duke i thënë se po shet mend dhe nuk di rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Rukiqi dje ka shkruar në Facebook se Franca dhe Holanda për arsye të ndryshme nuk po përkrahin liberalizimin e vizave.

Lidhur me këtë, kryeministri Haradinaj ka thënë se ai le të merret me biznes, pasi nuk e kupton temën e liberalizimit të vizave.

Ai theksoi se janë duke punuar që liberalizimi vizave të ndodhë këtë vit.

“Le t’i këqyrë ai punët e bizneseve më mirë i bjen… Këta që po shesin mend si ai i Odës Ekonomike le të vjen le të kërkon çka mundemi me bë me e zgjeruar sektorin privat. Besoj se po hyjnë në tema që se dinë ku janë, se kuptojnë temën. Pra, ai nuk e din temën më mirë se na", tha Haradinaj, përcjell kp.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, dje ka shkruar se opsioni real për t’iu liberalizuar vizat Kosovës është fillimi i vitit 2020.

Sipas Rukiqit, në Këshillin Evropian nuk dalin në votim çështjet për të cilat nuk ka konsensus të plotë të vendeve të fuqishme të Bashkimit Evropian.

Ai përmend qëndrimin skeptik që kanë Franca dhe Holanda në lidhje me heqjen e vizave për kosovarët.

“Janë dy shtete me fuqi te jashtëzakonshme ne BE, te cilat për një arsye apo një arsye tjetër, janë duke kundërshtuar liberalizimin e vizave për Kosovën: Franca dhe Holanda. Gjasat për vendim pozitiv për vizat, brenda këtij viti, janë 50/50. Ne Këshill, çështjet e ngjashme nuk kane shkuar ne asnjë rast për votim, nëse nuk ka një konsensus, sidomos me vendet qe kane fuqi, jo vetëm te votës. Opsioni me real për liberalizim efektiv, është fillimi i vitit 2020”, ka shkruar kryetari i Odës Ekonomike.

Artikuj të ngjashëm