Arbëri

Haradinaj: Populli amerikan përmes USAID-it ka lënë gjurmë në zhvillimin e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e betimit të drejtoreshës së re të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, ceremoni kjo që për herë të parë që po mbahet në Kosovë.

Haradinaj tha se është kënaqësi të mirëpres për herë të dytë një mike të respektuar të Kosovës, por tani në një mision shumë të rëndësishëm në cilësinë e drejtoreshës së USAID-it.

“Për popullin e Kosovës dhe institucionet e saj, emri i USAID-it do të thotë shumë. Populli amerikan ishte me popullin e Kosovës që nga fillimi i përpjekjeve tona për ndërtimin e shtetit dhe sot po festojmë vazhdimin e këtij bashkëpunimi dhe partneriteti miqësor”, tha Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se partneriteti me SHBA-në do të vazhdojë në të gjitha nivelet, duke i falënderuar në emër të popullit për miqësinë e përhershme mes dy popujve.

“Populli amerikan përmes USAID-it ka lënë gjurmë në të gjitha aspektet e zhvillimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës, duke filluar nga institucionet kryesore të ekzekutivit, sundimit të ligjit dhe demokracisë, duke vazhduar me rritjen ekonomike dhe përfshirjen sociale”, tha Haradinaj, duke shtuar se presin vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm me udhëheqësen e re të këtij misioni, në agjendën e reformave, zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë në sektorin e Sundimit të Ligjit.

Në fjalën e tij, ambasadori Delawie shprehu lëvdata për shkathtësitë profesionale të Magno të treguara gjatë mandatit të saj në Kosovë si zëvendës drejtoreshë e misionit të USAID-it, si dhe në punën e saj të mëhershme me USAID-in në Filipine, Guatemalë, Afganistan dhe më rishtazi në Uashington ku ajo shërbeu në cilësinë e Zyrtares mbikqyrëse të programeve dhe Ushtrueses së detyrës së zëvendës administratores për Zyrën e Europës dhe Euroazisë.       

Ambasadori Delawie vuri në pah rolin e USAID-it në zhvillimin e Kosovës përmes partneriteteve të tij me Qeverinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile për forcimin e sistemit politik dhe atij të drejtësisë në vend, ndërtimin e institucioneve stabile, nxitjen e një shoqërie civile dinamike dhe të zhvillimit ekonomik. 

Ai shtoi se sheh një të ardhme të ndritur për misionin e USAID-it në Kosovë nën udhëheqjen e Magnos.